Një aksident i rëndë trafiku në Gjermani u mori jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinjve nga Komuna e Rahovecit, Leart Morina dhe Berhan Zeka. Ngjarja ndodhi të dielën pasdite në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku u përfshinë gjithsej nëntë automjete.

Dy të rinjtë nga Kosova janë identifikuar si Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm. Lajmin për vdekjen e tyre e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve Morina dhe Zeka.


Sipas raportimeve të mediave gjermane, në aksident humbën jetën në vendngjarje dy drejtuesit e automjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç. Ndërkaq, një pasagjer 26-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime kërcënuese për jetën, ndërroi jetë të dielën në mbrëmje në spital.

Në aksident u lënduan edhe tre persona të tjerë. Në mesin e tyre ishte edhe një pasagjere 26-vjeçare, gjendja shëndetësore e së cilës, sipas policisë, nuk ishte bërë ende e ditur në njoftimin e së hënës.

Si ndodhi aksidenti?

Sipas hetimeve paraprake të policisë gjermane, dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin mbi automjetin e tij, derisa po kryente një manovër parakalimi me shpejtësi të lartë, në segmentin rrugor mes vendbanimeve Dellmensingen dhe Donaurieden, në afërsi të Erbachut, transmeton Telegrafi.

Automjeti i tij fillimisht u përplas me disa vetura të tjera, përpara se të goditej ballë për ballë me një makinë që po vinte nga drejtimi i kundërt.

Përplasja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa automjeti i drejtuesit 18-vjeçar u copëtua në disa pjesë. Në vendin e ngjarjes intervenuan një numër i madh i ekipeve emergjente, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës, si dhe kapelanë të krizave.

Rruga B311, në segmentin mes vendbanimeve Dellmensingen dhe Donaurieden, mbeti e mbyllur për qarkullim për më shumë se 20 orë.

Policia ka bërë të ditur se për përcaktimin e shkakut të saktë dhe rindërtimin e dinamikës së aksidentit është angazhuar një ekspert. Hetimet në vendngjarje kanë vazhduar edhe të hënën, ndërsa autoritetet kanë marrë në pyetje dëshmitarët për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj tragjedie./Telegrafi/