Një etapë e re politike nis sot në Serbi, ku 140 deputetë të rinj, përfaqësues të Listës Studentore, bëhen pjesë e parlamentit të ri. Ata përbëjnë grupin më të madh parlamentar në Kuvendin me 250 vende, ndërsa Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandër Vuçiç ka siguruar 103 mandate në zgjedhjet parlamentare.
Seanca e parë do të nisë me verifikimin e mandateve nga një komision parlamentar prej tre anëtarësh. Më pas do të zhvillohet votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, një proces me rëndësi të veçantë pasi personi që do të marrë këtë detyrë do të ushtrojë përkohësisht edhe funksionet e presidentit të shtetit.
Aleksandar Vuçiç është larguar nga posti i presidentit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Për këtë arsye, deri në fund të vitit pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale, datën e të cilave do ta caktojë kryetari i ri i parlamentit.
Mediat serbe raportojnë se Lista Studentore mund të propozojë për postin e kryetarit të parlamentit profesorin asistent nga Beogradi, Aleksandar Çupiq.
Çupiq punon në Fakultetin e Komunikacionit dhe Transportit, ndërsa merret edhe me bujqësi. Ai është baba i gjashtë fëmijëve dhe është bërë i njohur edhe për paraqitjet e tij gjatë aktiviteteve elektorale të lëvizjes studentore.
Me mjekrën e gjatë dhe interpretimet muzikore të këngëve popullore serbe, ai ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. Veçanërisht është shpërndarë një version i përshtatur i këngës “Ajde Jano”, të cilin ai e ka kënduar gjatë aktiviteteve të lëvizjes.
Megjithatë, kandidatura e tij për këtë post nuk është konfirmuar ende. Pas zgjedhjes së kryetarit do të vijojë procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e komisioneve parlamentare.
Një nga pikëpyetjet kryesore është se sa ndikim do të ketë lëvizja studentore në vendimmarrjen politike pas konstituimit të parlamentit.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, deputetët kanë mandat të lirë dhe nuk janë të detyruar të ndjekin udhëzime imperative. Megjithatë, kandidatët e Listës Studentore kanë nënshkruar një zotim për zbatimin e programit zgjedhor dhe për të mos kaluar në grupe të tjera parlamentare apo parti politike.
Përfaqësuesit e lëvizjes studentore pretendojnë se do të kenë rol edhe në formimin e qeverisë së re. Sipas një përfaqësuesi të tyre, të cituar nga gazeta “Danas”, për çdo post ministror ka disa kandidatë të kualifikuar.
Në listën studentore janë përfshirë shumë profesorë universitarë dhe akademikë, ndërsa më shumë se gjysma e kandidatëve kanë gradën shkencore doktor. Emrat e personave që do të propozojnë për postet qeveritare pritet të bëhen publikë pas konstituimit të parlamentit.
Ndërkohë, kandidati i renditur i pari në listë, Ilija Srdanoviq, nuk do të bëhet automatikisht kryeministër. Sipas përfaqësuesve të studentëve, renditja e kandidatëve është përcaktuar në mënyrë rastësore. Kushtetuta serbe nuk kërkon që kryeministri dhe ministrat të jenë domosdoshmërisht deputetë.
Qeveria e re duhet të formohet brenda 90 ditëve nga konstituimi i parlamentit.
Qeverinë e re e presin një sërë sfidash, ku prioritet pritet të jetë garantimi i një tranzicioni të qëndrueshëm institucional dhe ekonomik, pa ndërprerje të pagesave të pensioneve dhe pagave.
Një tjetër çështje e rëndësishme është furnizimi me energji. Kompania më e madhe e naftës në Serbi, NIS, e cila zotëron edhe rafinerinë e vetme të vendit, është nën sanksione amerikane. Përjashtimi i përkohshëm nga këto sanksione skadon më 11 dhjetor.
Lista Studentore synon të zhvillojë negociata me Rusinë për një kontratë afatgjatë të furnizimit me gaz natyror, pasi Serbia mbetet e varur nga gazi rus, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Lëvizja studentore u krijua pas tragjedisë së ndodhur në Novi Sad, ku dy vite më parë u shemb streha prej betoni mbi hyrjen e stacionit hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.
Kritikët e qeverisë së Aleksandar Vuçiçit e lidhën tragjedinë me korrupsionin dhe problemet në institucionet shtetërore. Protestat që pasuan u zgjeruan me kalimin e kohës dhe u shndërruan në një lëvizje me ndikim të rëndësishëm politik.
Tashmë, përfaqësuesit e saj marrin një rol qendror në parlamentin e ri, ndërsa pritet të shihet nëse do të arrijnë të përkthejnë mbështetjen politike në një ndryshim të qëndrueshëm të drejtimit të vendit.
