FAZ: Kosova, një shtet pa mbrojtje dëshmitarësh dhe tentimet për ta zhbërë Specialen

Gazeta prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) i ka kushtuar një analizë të gjerë zhvillimeve rreth Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë theksin te dështimi i sistemit kosovar për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve, akuzat e reja ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe iniciativat ligjore në Prishtinë për ta lënë këtë institucion "pa dhëmbë".
Në shkrimin e korrespondentit Michael Martens, FAZ kujton se arsyeja kryesore e zhvendosjes së Gjykatës Speciale në Hagë ishte rreziku real me të cilin përballeshin dëshmitarët në Kosovë. Raporti i Këshillit të Evropës dokumentonte se dëshmitarët e krimeve të luftës ose ishin eliminuar, ose ishin frikësuar aq sa nuk guxonin të flisnin, duke mos pasur asnjë besim te mekanizmat mbrojtës të vendit, transmeton Telegrafi.
Këtë pamundësi, sipas FAZ, e kishin pranuar publikisht edhe vetë ish-drejtuesit e UÇK-së. Gazeta citon një intervistë të vitit 2011 të Jakup Krasniqit - i dënuar po ashtu me 25 vjet burgim në shkallë të parë - për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ). Asokohe, si ushtrues detyre i presidentit, Krasniqi kishte deklaruar se nëse Kosova nuk arrin t'i mbrojë dëshmitarët, këtë barrë duhet ta marrin përsipër organizatat ndërkombëtare dhe vendet e Evropës Perëndimore, duke garantuar sigurinë e tyre jashtë vendit.
Pikërisht cenimi i këtij mekanizmi e ka rikthyer Hashim Thaçin sërish në bankën e të akuzuarve. Pas dënimit të shkallës së parë me 25 vjet burgim për krime lufte, ai po përballet me një vendim të dytë gjyqësor, ku rrezikon deri në gjashtë vite shtesë. Sipas raportimit të FAZ, prokuroria ka paraqitur 28 orë biseda të përgjuara në qendrën e paraburgimit, të cilat dëshmojnë se mes prillit dhe nëntorit 2023, Thaçi ka zbuluar vazhdimisht informacione konfidenciale mbi dëshmitarët dhe ka udhëzuar persona të besuar përmes vizitorëve se si t'i manipulonin dëshmitë, përfshirë kërkesën për të mohuar praninë e tij në një vendngjarje, përcjell Telegrafi.
Paralelisht me proceset në Hagë, FAZ vë në pah lëvizjet politike në Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar dhe e drejtuar për një kohë të gjatë nga Thaçi, ka iniciuar një projektligj në Kuvend që synon ta bëjë Gjykatën Speciale praktiktisht jofunksionale. Sipas gazetës gjermane, projektligji kërkon të kufizojë mandatin e gjykatës vetëm në hetimin e akuzave për trafikim organesh - akuza që dihet se janë të pabaza dhe të paprovueshme.
Pika më alarmante e kësaj nisme, vlerëson FAZ, është kërkesa që të gjitha dosjet e Hagës, përfshirë dokumentacionin mbi mbrojtjen e dëshmitarëve, t'u dorëzohen autoriteteve kosovare, gjë që do ta shkatërronte plotësisht mbrojtjen e atyre që guxuan të dëshmonin. Aktualisht, ky projektligj është kthyer në Kuvend nga presidentja Justina Pula dhe miratimi i tij ka dështuar disa herë për mungesë kuorumi, ndërsa Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Prishtinën se një hap i tillë shkel detyrimet ndërkombëtare dhe vë në rrezik jetën e dëshmitarëve./Telegrafi/






































