Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme, me vlerë të përgjithshme rreth 7.5 milionë euro, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi përvetësimin e paligjshëm të objektit dhe truallit të ish-fabrikës së miellit nr. 1 në Vlorë.

Sipas organit të akuzës, shtetasi me inicialet G.V. dyshohet se, përmes shpërdorimit të besimit dhe mashtrimit, ka regjistruar pronën në emrin e tij, në vend që ajo të figurojë si aset i shoqërisë tregtare ku kishte ortakë të tjerë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu dyshime për tjetërsimin e një pjese të pasurisë te persona të tretë, veprime që po hetohen edhe në kuadër të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Njoftimi i plotë:

Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5 milionë euro pasuri të shtetasit G.V.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetaseve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr.1” në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të shoqërisë “P…..” sh.p.k. shtetaseve A.C., G.Z dhe V.Q.

Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.

Për rrjedhojë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:

a) Pasurinë e llojit “Ndërtesë” me sip. 950 m² ndodhur Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;

b) Pasurinë e llojit “Njësi” me sip. 923 m², ndodhur në Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;

c) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 2.832 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;

d) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 10.500 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;

e) Pasurinë e llojit “Truall” me sipërfaqe prej 2.172 m² (pjesë e objektit Fabrika e Miellit), Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;

f) Pasurinë me nr.4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sip.1.263 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;

g) Pasurinë nr. 4/154+1- 2/1 (një pjesë të katit të dytë të depos së grurit) me sip.127 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç., dhe

h) Pasurinë me nr. 4/158 (një pjesë trualli) me sip.25 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.