Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht. Në anën tjetër, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.

Bashkim Smakaj është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Megjithatë, ai do të lirohet pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin e shqiptuar.

“Meqenëse keni kaluar më shumë muaj në paraburgim, ju liroheni”, ka thënë gjykatësi Christopher Gosnell.

Edhe Fadil Fazliu është dënuar me 12 muaj burgim. Edhe në rastin e tij, koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin, prandaj ai do të lirohet pas përfundimit të seancës.

Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat në këtë rast. Gjykatësi Gosnell urdhëroi lirimin e tij pas përfundimit të seancës.

Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësi Christopher Gosnell. Në këtë rast, Thaçi u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, për çka u dënua me 17 muaj burgim.