Hagë/ Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim, shpallet fajtor për pengim të drejtësisë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale në Hagë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Gjykatësi Christopher Gosnell bëri të ditur se Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, si dënim i njësuar për veprat penale për të cilat u shpall fajtor.
Thaçi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë, sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës, për shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikave 8, 10 dhe 11. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë sipas pikës 3 dhe për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikës 9 të aktakuzës.
Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Të dy u dënuan me nga 12 muaj burgim.
Meqë Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar në paraburgim më gjatë se periudha e dënimit të shqiptuar, gjykatësi njoftoi se dënimet konsiderohen të shlyera. Ata do të lirohen pas përfundimit të seancës, ndërsa do t’u kthehen edhe garancitë financiare.
Ndërkohë, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të dyja pikat e aktakuzës dhe do të lirohet pas përfundimit të seancës, me kthimin e garancisë financiare.
Hajredin Kuçi u shpall i pafajshëm për njërën nga dy pikat e aktakuzës, ndërsa për pikën tjetër u shpall fajtor dhe u dënua me një muaj burgim me kusht. Ky dënim do të konsiderohet i kryer nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Gjatë seancës, gjykatësi shpjegoi akuzat ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve, të cilët, sipas aktakuzës, dyshohen se kishin bashkërenduar veprimet me qëllim pengimin e zyrtarëve në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Sipas përmbledhjes së paraqitur nga Gosnell, Thaçi akuzohet se kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, me qëllim të ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve.
Prokuroria pretendon se Thaçi kishte vepruar si drejtues ose organizator i këtyre grupeve dhe se gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë u kishte zbuluar vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.

Akuzat për pengim të drejtësisë, Haga shpall sot aktgjykimin ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot, më 17 nëntor, aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër personave të tjerë, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, në këtë proces janë të përfshirë edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilin Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar me 81 vite burg në total.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




