Çitaku e quan të turpshëm vendimin e Speciales ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Padrejtësisë do t’i përgjigjemi me qëndresë
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë në rastin për pengim të drejtësisë.
Në një reagim, Çitaku ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj për aktgjykimin, duke vlerësuar se besimi në paanshmërinë e kësaj gjykate është cenuar thellë.
Çitaku ka përmendur kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare, të cilat, sipas saj, kanë thelluar pikëpyetjet për mënyrën e administrimit të drejtësisë nga kjo gjykatë.
Ajo ka thënë se drejtësia nuk mund të ketë standarde të ndryshme për të akuzuarit dhe për gjyqtarët.
“E turpshme! E papranueshme!
Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë.
Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë.
Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate.
Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.
Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!
Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset - asnjëherë. Me çlirimtarët, deri në liri!”, ka deklaruar Çitaku.














