Pedro Porro synon kalimin te Barça që në janar, por Tottenham kërkon 70 milionë euro

17 Nëntor 2026
11:34
Telesport
back button

Lidhja mes Pedro Porro dhe Barcelona mund të bëhet realitet në muajt e ardhshëm. Sipas gazetës ‘Sport’, mbrojtësi spanjoll që aktualisht luan për Tottenham, e ka identifikuar klubin katalanas si zgjedhjen e tij kryesore për sezonin e ardhshëm dhe nuk ka ndërmend ta vazhdojë qëndrimin e tij në Londër.

Por, sipas Fabrizio Romano, ka gjasa që gjithçka të zgjidhet edhe më shpejt: “Pedro Porro do t’i bashkohet Barcelonës në janar. Ka shumë tension mes tij dhe Tottenham, ndërsa lojtari dëshiron të fitojë trofe gjatë karrierës së tij. Kjo është arsyeja pse ai ka insistuar për një kalim te Barça për më shumë se një vit.”

Pengesa kryesore është vlerësimi financiar. Duke qenë se e ka zgjatur kontratën e mbrojtësit deri në vitin 2031, Tottenham kërkon 70 milionë euro për ta lënë të lirë. Nga ana tjetër, Barcelona nuk është e gatshme të ofrojë më shumë se 50 milionë dhe një diferencë prej 20 milionë eurosh e ndërlikon marrëveshjen.

Sa i përket vetë Porro, ai e ka mirëpritur interesimin e klubit “blaugrana”, duke thënë: “Kur një nga klubet më të mira në botë interesohet për ty, kjo është gjithmonë një burim kënaqësie“. Një element tjetër interesant në këtë histori është marrëdhënia e tij me Lamine Yamal.

Të dy kanë krijuar një miqësi të ngushtë gjatë angazhimeve me kombëtaren dhe ata janë shumë të afërt edhe jashtë fushës së lojës. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të mundshëm në krahun e djathtë, i cili tashmë i ka entuziazmuar tifozët por që kjo të bëhet realitet, fillimisht duhet arritur një marrëveshje me Spurs.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit