Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi kritikon projektbuxhetin: Nuk është i qytetarëve, por i Ramës



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka hartuar një projektbuxhet që, sipas tij, nuk synon përmirësimin e jetesës së qytetarëve, por favorizimin e interesave të një grupi të caktuar.

Në një konferencë për mediat, një ditë përpara shqyrtimit të projektbuxhetit në Kuvend, Bardhi deklaroi se çështja kryesore nuk është sa para do të mblidhen nga qytetarët, por mënyra se si do të shpenzohen ato dhe kush do të përfitojë prej tyre.

Duke iu referuar protestave të studentëve dhe kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit, ai tha se qytetarët e kanë kuptuar se buxheti nuk është në shërbim të tyre.

Bardhi kritikoi gjithashtu politikat fiskale të qeverisë, duke pretenduar se ulja e TVSH-së për disa produkte ushqimore krijon një perceptim të rremë për uljen e kostos së jetesës, ndërkohë që norma e përgjithshme e TVSH-së është 21%. Ai kundërshtoi edhe ndryshimet në taksimin e karburanteve, duke thënë se ulja e një takse në pompë shoqërohet me rritjen e detyrimeve të tjera.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së e cilësoi projektbuxhetin si “diabolik”, duke kritikuar bonuset për pensionistët në vend të rritjes së pensioneve. Sipas tij, kjo masë u jep të moshuarve një përfitim të menjëhershëm, por i privon nga mundësia për të marrë pensione më të larta.

Ai akuzoi qeverinë se i jep përparësi sektorit të ndërtimit, të cilin e lidhi me pastrimin e parave dhe korrupsionin. Në këtë kontekst, Bardhi iu referua edhe çështjes së ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke përmendur pretendimet për gjetjen e parave në vilat e saj.

“Rama ka prioritet ekonominë e betonit, sepse aty pastrohen më lehtë e më shpejt paratë e krimit dhe trafikut të drogës, është burim i sigurt korrupsioni. Ndaj në vilat e Ballukut gjenden kutitë e kuqe mbushur me para si në bodrumet e karteleve më të rrezikshme të drogës”, deklaroi Bardhi.