Bruno Fernandes po shkon drejt një të ardhmeje larg Manchester Unitedit, pasi mesfushori portugez ka hedhur poshtë edhe propozimin e dytë zyrtar për zgjatjen e kontratës, të paraqitur gjatë javëve të fundit.
Marrëveshja aktuale e kapitenit të Portugalisë me “Djajtë e Kuq” skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa bisedimet mes palëve kanë mbetur në vendnumëro. Fernandes synon një kontratë deri në vitin 2030 dhe, nëse kërkesa e tij nuk pranohet, po kërkon largimin që në afatin kalimtar të janarit 2027 ose daljen si lojtar i lirë në verën e të njëjtit vit.
Të lidhura
None found
Galatasaray është një nga klubet më të interesuara për shërbimet e tij dhe aktualisht kryeson garën nga Turqia.
Sipas mediave turke dhe TEAMtalk, skuadra e Stambollit kishte arritur verën e kaluar një marrëveshje verbale me Fernandesin. Megjithatë, transferimi nuk u konkretizua në momentet e fundit, pasi Manchester Unitedi refuzoi ta lejonte largimin e tij.
Galatasaray mund të presë deri në fund të sezonit për ta marrë portugezin pa pagesë, por drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një oferte gjatë janarit të vitit 2027. Në shtator, Unitedi e kishte vlerësuar kartonin e tij nga 50 deri në 60 milionë euro, duke synuar të arkëtonte të ardhura përpara përfundimit të kontratës.
Për Fernandesin interesohen gjithashtu Fenerbahce dhe Trabzonspor, që po monitorojnë me vëmendje zhvillimet rreth të ardhmes së tij.
Edhe klubet nga Arabia Saudite e kanë në radar, ndonëse Al-Hilal për momentin e ka ulur interesimin për mesfushorin.
Mes destinacioneve të mundshme përfshihet edhe Atletico Madridi. Ekipi i Diego Simeones e konsideron Fernandesin një alternativë shumë të përshtatshme për drejtimin e lojës dhe organizimin në mesfushë.
Trajneri argjentinas çmon veçanërisht autoritetin që portugezi shfaq në fushë, forcën në goditje dhe aftësinë për të hyrë në zonën e kundërshtarit.
Në Itali, dy skuadra që kanë shfaqur interes janë Milani dhe Juventusi.
Calciomercato raporton se trajneri i Milanit, Ruben Amorim, është ndër njerëzit që e mbështesin më shumë këtë lëvizje. Ai dëshiron të punojë sërish me ish-kapitenin e tij te Sportingu i Lisbonës, këtë herë në “San Siro”.
Megjithatë, paga e Fernandesit, e cila raportohet në 10.2 milionë euro neto për sezon, tejkalon kufirin financiar të Milanit. Për ta bërë të mundur marrëveshjen, do të nevojiteshin sakrifica ekonomike nga të dyja palët.
Juventusi, ndërkohë, e ka ruajtur emrin e portugezit në listën e objektivave për vitin e ardhshëm, sipas CaughtOffside dhe TuttoJuve. Megjithatë, “Zonja e Vjetër” nuk ka dëshirë të paguajë klauzolën e largimit prej rreth 65 milionë eurosh, e vlefshme për klubet e huaja.






