Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe tre të pandehurit e tjerë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Në fjalën përfundimtare, SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit burgim për Fredi Kokoneshin, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Po ashtu, prokuroria ka kërkuar dënimin me nga 1 vit burgim për shpërdorim detyre dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 2 vite për tre ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë Divjakë, konkretisht Dorian Spahon, Andi Bollarin dhe Ledio Xharon.
Ish-kryebashkiaku i Divjakës dhe tre zyrtarët vendorë akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me kalimin e tokave bujqësore te kompanitë private për realizimin e investimeve në panele diellore. Sipas hetimeve, të cilat nisën fillimisht nga ish-Prokuroria e Lushnjës, bëhet fjalë për 70 hektarë tokë bujqësore që dyshohet se u janë kaluar në mënyrë të paligjshme dy operatorëve ekonomikë, me një afat shfrytëzimi 10-vjeçar.









