Dhimbje dhe trishtim në radhët e Policisë së Shtetit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Ermal Lulajt, shefit të Krimeve në Vlorë, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor.

Trupi i pajetë i zyrtarit të policisë është sjellë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë në Fier, ku këtë të martë do të zhvillohen homazhe në nderim të tij.

Ceremonia përkujtimore është parashikuar të mbahet nga ora 11:00 deri në orën 12:00, me pjesëmarrjen e familjarëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve që kanë punuar ndër vite me Lulajn.

Ngjarja tragjike ndodhi një ditë më parë, në afërsi të Novoselës, ku automjeti tip “Toyota”, me të cilin udhëtonte drejtuesi i policisë, u përplas me një mjet të rëndë pune, skrep, që ishte në lëvizje.

Përplasja rezultoi fatale për Lulajn, i cili nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Ermal Lulaj ishte një emër me përvojë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit. Gjatë karrierës së tij kishte ushtruar disa funksione drejtuese në qarqe të ndryshme të vendit, duke shërbyer për vite me radhë në uniformën blu.

Ndarja e tij e papritur nga jeta ka lënë pas një dhimbje të madhe, veçanërisht për familjen dhe tre fëmijët e tij.

Pas përfundimit të homazheve në Drejtorinë e Policisë së Fierit, Ermal Lulaj do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e qytetit, ku familjarët, miqtë dhe kolegët do t’i japin lamtumirën e fundit.