Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zhvilloi seancën e gjyqit në themel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Për herë të parë, Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm në procesin gjyqësor. Në një letër drejtuar gjykatës, ai ka deklaruar se për shkak të problemeve shëndetësore, për të cilat i është rekomanduar një ndërhyrje kirurgjikale, ka kërkuar dokumentacionin mjekësor, por nuk ka marrë përgjigje.
Të lidhura
None found
“Për shkak të gjendjes shëndetësore, për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, prej 10 ditësh kërkoj dokumentacionin mjekësor, por nuk më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj shtyrjen e seancës gjyqësore”, mësohet të ketë shkruar Veliaj.
Gjatë seancës, Altin Dumani deklaroi se autoritetet nuk disponojnë ndonjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut që të pasqyrojë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut që të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk disponojmë asnjë dokument konkret që të na qartësojë situatën e tij”, u shpreh Dumani.
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, tha se prokuroria është vënë në dijeni për gjendjen shëndetësore të klientit të tij.
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Edhe i pandehuri e thekson këtë dhe kërkon informacion për situatën reale të këmbës, si dhe grafinë për ta konsultuar me një mjek. Kartela mjekësore nuk i është vënë në dispozicion. Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë, ndërsa Drejtoria e Burgjeve nuk jep informacion për një të drejtë bazike. Kjo po pengon vijimin e seancës. Në IEVP ka pasur kontrolle mjekësore, ai ka kryer rezonancë dhe grafi, ndërsa i është thënë se ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, deklaroi Ndreca.
Pas këtyre zhvillimeve, gjykata u tërhoq për të vendosur nëse seanca do të vijojë pa praninë e Veliajt apo do të shtyhet.








