Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në ceremoninë mortore të shefit të Krimeve në Vlorë, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën mbrëmjen e së hënës në një aksident pranë Novoselës.
Gjatë ceremonisë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku u soll trupi i pajetë i efektivit, Hita shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët, duke theksuar se tre fëmijët e Lulajt do të kenë mbështetjen e Policisë së Shtetit.
“Ditë shumë e dhimbshme për ne, për familjen dhe për ata të cilët e kanë njohur. Unë e kam njohur që në fillimet e karrierës së tij. Ndjej një keqardhje të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt. U largua babai i tre fëmijëve, bir i një familje shumë të mirë, një koleg shumë i mirë. Fëmijët e tij nuk do të jenë vetëm, për çfarëdo kujdes që do të kenë familja e madhe e Policisë së Shtetit gjithmonë do t’u gjendet”, tha Hita.