Qeveria kundërshton shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Qeveria kundërshton shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Qeveria shqiptare ka dhënë mendim kundër dy projektligjeve që kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Në dokumentin dërguar Kuvendit, Këshilli i Ministrave argumenton se rikthimi te kuadri i mëparshëm ligjor do të linte të paqartë fatin e lejeve të dhëna, investimeve të nisura dhe projekteve që janë ende në shqyrtim.

Ndryshimet e vitit 2024 hapën rrugën për zhvillime turistike brenda zonave të mbrojtura. Rasti që ka marrë më shumë vëmendje është ai i resortit të planifikuar në Zvërnec, brenda peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë. Për Sarandën dhe Ksamilin, debati ka rëndësi edhe për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe rregullat që zbatohen për zhvillimet turistike brenda tij.

Parku Kombëtar i Butrintit përfshin rreth 8 622 hektarë. Krahas qytetit antik, territori i mbrojtur përfshin pjesë të lagunës së Butrintit, kanalin e Vivarit dhe habitate bregdetare. Parku ndahet në nënzona me shkallë të ndryshme mbrojtjeje.

Për çdo projekt të mundshëm brenda parkut, rëndësi ka vendndodhja e saktë dhe çfarë lejohet në nënzonën përkatëse. Kjo e bën me interes për Butrintin debatin në Kuvend mbi rregullat e zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura dhe mbi mënyrën se si do të trajtoheshin lejet e dhëna apo kërkesat në shqyrtim nëse ligji ndryshon sërish.

Sipas Këshillit të Ministrave, dy projektligjet nuk përcaktojnë se çfarë do të ndodhte me lejet e miratuara, aktet e nxjerra në zbatim të ligjit dhe procedurat administrative që institucionet po shqyrtojnë. Qeveria kërkon që çdo ndryshim të shoqërohet me dispozita kalimtare, të cilat do të përcaktonin se cilat rregulla do të zbatoheshin për këto raste pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Ekzekutivi kërkon gjithashtu një analizë të pasojave ekonomike dhe mjedisore të shfuqizimit. Në argumentimin e tij, ai i referohet edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit nr. 21/2024.

Në rezolutën për Shqipërinë të miratuar në qershor, Parlamenti Europian kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore mbi të cilat u mbështet dhënia e lejes për projektin e Zvërnecit. Në raportin e publikuar në fillim të nëntorit, Komisioni Europian kërkoi shfuqizimin e dispozitave dhe vlerësimin e projektit sipas standardeve europiane.

Qeveria argumenton se fillimisht duhen identifikuar dispozitat konkrete që bien ndesh me legjislacionin e BE-së. Sipas saj, rikthimi te ligji i mëparshëm nuk garanton vetvetiu përafrimin me rregullat europiane.

Projekti i Zvërnecit, i lidhur me Jared Kushner, grupin Kastrati dhe investitorë nga Katari, mbetet në pritje të vlerësimeve mjedisore dhe konsultimeve publike të premtuara nga kryeministri. Që prej muajit maj, projekti ka nxitur protesta qytetare për ndikimin që ndërtimi mund të ketë në peizazhin e mbrojtur Vjosë–Nartë, ku strehohen edhe shpendë shtegtarë si flamingot. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Qeveria kundërshton shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
Lexoni më shumë
Pragu i TVSH zbret në 5 milionë lekë: Mijëra fermerë rrezikojnë të humbasin kompensimin 10%
Lexoni më shumë
Nga 1 janari 2027 ulen tarifat e pasaportave dhe kartave të identitetit për tri kategori
Lexoni më shumë
Aksident tragjik: humb jetën shefi i Krimeve të Rënda në Vlorë Ermal Lula
Lexoni më shumë
Tuneli i Llogarasë 82 milionë euro dëm shtetit. SPAK: Belinda Balluku orientoi tenderin
Lexoni më shumë
Ambasadori amerikan Eric Wendt vizitë në Sarandë dhe qytetin antik të Butrintit
Lexoni më shumë