Tirana përkujton sot 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazist.

Në nder të dëshmorëve dhe atyre që luftuan për lirinë e kryeqytetit, u zhvilluan homazhe ku morën pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Brendshëm Ervin Demo, nënkryetarja e Kuvendit Evis Kushi, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, si dhe përfaqësues të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944, pas 19 ditësh luftimesh të ashpra mes forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe trupave gjermane. Operacioni nisi më 29 tetor, ndërsa një nga betejat që ndikoi në dobësimin e forcave gjermane ishte ajo e Mushqetasë, më 13 dhe 14 nëntor.

Gjatë ceremonisë, ministri Demo theksoi se nderimi për ata që luftuan për çlirimin e Tiranës duhet të shprehet edhe përmes punës së përditshme për qytetin, kujdesit ndaj banorëve dhe zgjidhjes së problemeve të tyre.

“Ata na lanë një qytet të lirë. Ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi për të”, u shpreh Demo, duke theksuar se institucionet duhet të jenë pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të ndjekin zgjidhjen e problemeve që ua vështirësojnë jetën.

Ministri vuri theksin edhe te siguria e fëmijëve dhe mbështetja e familjeve, ndërsa kërkoi që historia e Tiranës dhe sakrificat për çlirimin e saj t'u përcillen brezave të rinj.

“Historinë e Tiranës duhet t’ua përcjellim brezave të rinj. Me punën tonë, duhet t’u japim edhe më shumë arsye për ta dashur këtë qytet dhe për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Ky do të ishte edhe nderimi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për çlirim”, deklaroi Demo.

Çlirimi i Tiranës më 17 nëntor 1944 shënoi fundin e pushtimit gjerman në kryeqytet, pas luftimeve që u shoqëruan me humbje të shumta njerëzore.