Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se projekt-buxheti i vitit 2027 është përgatitur në fshehtësi nga Qeveria dhe sipas tij është në kundërshtim të plotë me ligjin.

Komentet Berisha i bëri nga selia e PD-së, gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar demokrat, ku tha se pr.buxheti i vitit 2027 injoron qytetarët e biznesmenët.

Sipas tij, nga ky pr.buxhet përfiton vetëm një grusht njerëzish dhe ndëshkohen shumica e shqiptarëve dhe bizneseve.

“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Pra injorim total i qytetarëve, injorim total i biznesmenëve dhe vendosje e një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen në një mënyrë apo në një tjetër qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, tha mes të tjerash Berisha.

Duke shprehur kundërshtinë e PD-së ndaj pr.buxhetit 2027, Berisha tha se ai është buxheti më anti-popullor gjatë 36 viteve demokraci.

“Unë përgëzoj të gjithë deputetët të cilët në mënyrë intensive e kanë kundërshtuar këtë buxhet, këtë paketë fiskale dhe sigurisht që qëndrimi ynë do i jetë i prerë, kategorik kundër tij, duke e konsideruar këtë si buxhetin më të paligjshëm, se është i paligjshëm, është antikushtetues”, shtoi Berisha.

Dy fjalë Berisha i kishte edhe për paketën fiskale 2027, për të cilën tha se ndëshkon biznesin e ndershëm dhe shpall paqen fiskale me ata, të cilët kanë fshehur vite e stërvite veprimtarinë e tyre.

“Nuk mund të ketë veprim më zuzar, një qeveri nuk mund të bëjë një veprim më zuzar se ky. Dhe pse e gjitha kjo? Vetëm një arsye, nga frika se bizneset do të derdhen në rrugë së bashku me protestuesit. Se çfarë arsye tjetër mund të ketë apo jo? Si mund të bëhet kjo pas shpine? Kjo paketë ndëshkon biznesin e ndershëm. Në një anë shpall paqen fiskale me ata, të cilët kanë fshehur vite e stërvite veprimtarinë e tyre, kurse bizneseve të ndershme iu bie me satër. Vetëm turizmi e ka shkallën e informalitetit në shtretër 78%. Imagjinoni o zotërinj, Mali i Zi me 2 milionë turistë, ka trefishin, katërfishin e netëve të fjetjeve me Shqipërinë që ka 10-11 milionë turistë. Imagjinoni se çfarë ndodh këtu. Dhe këta në vend që të merren me formalizimin e ekonomisë, këta godasin biznesin e ndershëm”, theksoi Berisha.