Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar projekt-buxhetin e vitit 2027, duke u shprehur se shkel parimet kushtetuese.
“Pra, është një paketë e cila, në fakt, i jep një goditje shumë të rëndë biznesit. I jep një goditje të rëndë biznesit të vogël, profesioneve të lira, shtresës së mesme apo klasës së mesme, që është plazma e një shoqërie. Të gjitha këto shkojnë në favor të klientelës së tij.
Po do ti të ulësh çmimin e naftës, mor zotëri? Si ka mundësi që nafta në Shqipëri, me katër porte, shitet 40 për qind më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoni? Shitet më shtrenjtë për shkak të taksave.
Barazoji taksat me këto vende dhe vendos rregullin që asnjë litër naftë të mos shitet më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoni. Dhe ky këtu fiton edhe nga transporti, sepse ata detyrohen ta transportojnë naftën që shesin nga porti i Durrësit apo ai i Selanikut. Kurse ti e merr nga portet e tua.
Pra, tani thotë: ‘Po e heq unë këtë, por në pompë do të shitet po aq, ndërsa njerëzit nuk do të përdorin dot makinat’. Taksat janë tre-katër herë më të larta se në Kosovë.
Pra, kemi të bëjmë me një buxhet që, do të thosha, është buxheti më antipopullor, më antiqytetar i 36 viteve. Shqipëria nuk ka paraqitur kurrë një buxhet të tillë.
Një buxhet që shkel parimet kushtetuese të vendit, shkel ligjet bazë të biznesit dhe të tregtisë. Shkel qindra mijëra kontrata ekzistuese, marrëveshje, parashikime, plane dhe projekte.
Unë përgëzoj të gjithë deputetët të cilët, në mënyrë intensive, e kanë kundërshtuar këtë buxhet dhe këtë paketë fiskale. Sigurisht që qëndrimi ynë do të jetë i prerë, kategorikisht kundër tij, duke e konsideruar këtë si buxhetin më të paligjshëm, sepse është i paligjshëm, është antikushtetues.
Nuk mund t’u dalësh papritur në pritë bizneseve, sepse ato kanë parashikime dhe kërkojnë siguri. Veprimtarinë e tyre e kanë bazuar në atë që thotë Kushtetuta, në sigurinë juridike.
Dhe ti u del papritur dhe u thua: ‘Do ta kesh 15 për qind dividendin, do ta kesh 21 për qind TVSH-në, do të futesh në TVSH’, e kështu me radhë”, tha Berisha.
