Prokurimet publike, Rama: Jemi vendi më i vlerësuar nga SIGMA në rajon, procedurat pa garë për fondet publike janë ulur me 92.3%
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, i cili synon rritjen e transparencës, sigurisë dhe eficiencës në realizimin e prokurimeve publike, si dhe uljen e kostove dhe burokracive për institucionet dhe sipërmarrjen.
Gjatë prezantimit, Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të prokurimit publik, duke u mbështetur në standardet më të larta të transparencës dhe modelet e Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te vlerësimi i sistemit shëndetësor, duke theksuar se rastet negative që marrin vëmendjen e opinionit publik nuk duhet të errësojnë rezultatet pozitive në tërësi.
Ai solli si shembull rastin e një operacioni të pasuksesshëm, që mund të kthehet në një shqetësim të madh publik, ndërsa theksoi se 60 mijë operacionet e tjera të suksesshme janë dëshmi e një realiteti më të gjerë sesa ai që përcillet nga një lajm i vetëm.
Duke iu rikthyer prokurimeve publike, Rama u shpreh se Shqipëria është vendi më i vlerësuar nga SIGMA në rajon për këtë fushë, me diferencë nga vendi i dytë.
Për të mbështetur këtë pretendim, ai publikoi edhe shifra mbi procedurat e prokurimit pa shpallje paraprake dhe pa garë. Sipas tij, në vitin 2012 këto procedura përbënin 31% të totalit, ndërsa vitin e kaluar kishin zbritur në vetëm 2.4%.
“Hymë në një fazë të re të prokurimit publik që mbështetet në nivelet më të larta të transparencës, ku mbështetemi në format e Bashkimit Europian.
Ashtu siç lajmet e këqija që, për fat të keq, ndodhin në çdo fushë, për shembull në shëndetësi, nuk e zhbëjnë absolutisht faktin që, kur një operim i pasuksesshëm kthehet në një shqetësim të madh publik pasi ka cenuar jetën e një njeriu, 60 mijë operacione të tjera të suksesshme janë aty një dëshmi e faktit që, në tërësinë e tyre, gjërat janë shumë më ndryshe sesa duken nga optika e një lajmi të vetëm.
I them këto sepse janë disa fakte që e kanë sjellë Shqipërinë në pikën që të jetë vendi më i vlerësuar nga SIGMA për fushën e prokurimeve publike, me diferencë nga vendi i dytë në rajon.
E shoh të udhës të ndaj këtu disa shifra. Në vitin 2012, kur ne bëheshim gati të merrnim detyrën, procedurat pa shpallje paraprake, pa garë, ishin 31% e totalit të procedurave. Në vitin që lamë pas, ishin vetëm 2.4%. Pra, ky është një standard i ri i vendosur dhe tani duket e pabesueshme që procedurat pa garë për fondet publike të jenë sa 1/3 e të gjitha procedurave të prokurimit. Sot janë 2.4%.
Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë për sa i përket prokurimit publik, në një grup me Suedinë, Gjermaninë, Finlandën dhe Francën.”, tha Rama.




