Majko reagon mbi lajmet për “video seksi dhe erotizëm” në PS: Ja çfarë thashë në Asamble
Deputeti socialist: Kërkova që disa njerëz të largohen nga politika
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar pas jehonës që morën në media deklaratat e tij gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke kundërshtuar interpretimet se ai kishte ngritur shqetësime për video erotike apo marrëdhënie intime të personave brenda partisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko ka sqaruar se ndërhyrja e tij në mbledhjen e socialistëve kishte në fokus një çështje krejt tjetër: kontaktet e papërshtatshme dhe komprometuese të politikanëve me krimin e organizuar.
Deputeti socialist pretendon se mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe se gjatë diskutimit kishte kërkuar që personat e përfshirë në marrëdhënie të tilla të largohen nga politika.
Majko thekson se gjatë fjalës së tij ka përmendur vetëm një informacion të bërë publik lidhur me disa video të sekuestruara nga SPAK, duke mohuar kategorikisht se ka folur për materiale seksuale apo për jetën private të kolegëve.
Në reagimin e tij nuk mungon as ironia ndaj mënyrës se si u interpretuan deklaratat. Ai veçon gazetarin Muhamed Veliu si të vetmin që e kishte kontaktuar për të konfirmuar përmbajtjen e fjalës së tij, ndërsa thumbon edhe gazetarin Blendi Fevziu, duke pretenduar se ky i fundit preferoi versionin që lidhej me seksin.
“Po ndjek me humor ‘daullet’ e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së jam shqetësuar për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mi socialistë!
Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar. Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika!
Në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK. Asnjë fjalë për erotizmin apo videot e seksit!”, shkruan Majko.
Më tej, deputeti vijon me një koment ironik për mënyrën se si u trajtua deklarata e tij në hapësirën mediatike, duke iu referuar edhe gazetarit Blendi Fevziu.
“Fevziut i pëlqeu më shumë ‘varianti me seks’! Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda videot erotike sesa kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar!
Ndjesë për zhgënjimin!”, përfundon reagimin e tij Pandeli Majko.
Reagimi i plotë Majkos:
NDJESE E DETYRUAR”…
Po ndjek me humor “daullet” e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të asamblesë së PSSH jam “shqetësuar” për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mij socialistë!
Në fakt, në fjalën time në asamblenë kombëtare kam folur për kontaktet e papershtatshme dhe diskretituese me krimin e organizuar! në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika! në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga spak! asnjë fjalë për “erotizmin” apo “videot e seksit”! i vetmi gazetar që më pyeti për të konfirmuar deklarimet e mija ishte muhamed veliu! fevziut i pëlqeu më shumë “varianti me seks!”
ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda “videot erotike” se sa kontaktet e papershtatshme dhe diskretituese me krimn e organizuar!!! ndjesë për zhgënjimin!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



