Hodhi dy herë Joshua në tapet dhe tërhoqi vëmendjen e botës, një tjetër britanik fton Kristian Prenga në ring

17 Nëntor 2026
13:40
Telesport
back button

Boksieri britanik Johnny Fisher synon të rikthehet në ring në fillim të vitit 2027 dhe dëshiron të përballet me Kristian Prenga, boksierin shqiptar që surprizoi në raundin e parë të duelit ndaj Anthony Joshua në korrik të këtij viti.

Në korrik, Prenga u ndesh me Joshua në atë që duhej të ishte një përballje përgatitore për ish-kampionin e botës. Në vend të kësaj, Prenga e rrëzoi atë fuqishëm dy herë gjatë raundit të parë.

Prenga (20 fitore, 2 humbje në karrierë), ishte shumë pranë fitores, por Joshua u rikthye fuqishëm dhe e nokautoi atë në raundin e dytë. Shqiptari për pak sa nuk e prishi super-ndeshjen mes Tyson Fury dhe Anthony Joshua.

Gjithsesi, me atë paraqitje, Prenga tërhoqi vëmendjen e botës së boksit. Ndaj, Fisher (15 fitore, 1 humbje) dëshiron që pikërisht boksieri shqiptar, i cili ishte fare pranë mposhtjes së Joshua, të jetë kundërshtari i tij i radhës.

“Prenga do të ishte një zgjedhje e mirë. Është një hap i duhur drejt objektivave të mia. Bëhet fjalë për dikë që është përballur me një nga boksierët më të mirë të peshave të rënda që kemi pasur në Britaninë e Madhe vitet e fundit“, tha Fisher.

“Të jesh në ring me një boksier të tillë, që zotëron forcë goditëse për nokaut dhe aftësinë për të rrëzuar kundërshtarë të nivelit të lartë është një sfidë interesante. Le të shohim se çfarë mund të bëj unë“, shtoi Fisher.

Më tej, Fisher shtoi: “Ai pothuajse ia doli ta mposhtte AJ. Në boksin profesionist të peshave të rënda, diferencat janë shumë të vogla dhe rreziku është gjithmonë i pranishëm. Është vërtet diçka emocionuese.”

“Po mendojmë për një duel muajin shkurt nëse arrijmë një marrëveshje. Koha do të kalojë shumë shpejt. Dua ta nis kampin stërvitor më 1 janar. Dua të krijoj një bazë të fortë“, përfundoi Johnny Fisher.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit