Juventusi po përgatit terrenin për merkaton e janarit, me drejtuesit bardhezi që kanë nisur të shqyrtojnë disa alternativa për repartin ofensiv. Në Torino kërkohet një sulmues qendror që t’i përshtatet ideve të trajnerit Luciano Spalletti, ndërsa në skenë ka dalë edhe mundësia e një marrëveshjeje me Monacon.
Sipas skenarit që po shqyrtohet, në Torino mund të transferohet Folarin Balogun, ndërsa në drejtim të klubit francez do të kalonte Edon Zhegrova. Një shkëmbim që mund t’i shërbente të dyja palëve, duke qenë se sulmuesi i Kosovës nuk ka arritur të fitojë hapësirat e pritshme në skuadrën bardhezi.
Zhegrova, i transferuar nga Lille në vitin 2025 për shumën e 15.5 milionë eurove, nuk ka lënë gjurmën që pritej në Torino. Deri më tani, 26-vjeçari ka regjistruar vetëm dy gola dhe dy asistime në 36 ndeshje me fanellën e Juventusit. Situata e tij është komplikuar edhe nga dëmtimi që po e mban aktualisht jashtë fushave.
Pavarësisht paraqitjeve të kufizuara, futbollisti kosovar ka një kontratë me Juventusin deri në vitin 2030 dhe përfiton rreth 2.5 milionë euro neto në sezon.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse ideja e shkëmbimit me Balogun do të marrë formë konkrete gjatë merkatos së janarit. Për Spallettin, afrimi i një qendërsulmuesi mbetet një nga prioritetet kryesore.
