Sipas raportimeve, përplasja ka ndodhur në një mbikalim në rrugën Seifertova, në distriktin e tretë të kryeqytetit çek.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar të gjitha ekipet emergjente, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe ekipet mjekësore. Të lënduarit janë transportuar në institucionet shëndetësore për trajtim, raporton The Independent.

Shërbimet emergjente kanë angazhuar më shumë se 10 ekipe të ambulancës, katër ekipe me mjekë, një inspektor dhe një njësi të specializuar për evakuim.

Policia çeke ka bërë të ditur se operacioni i shpëtimit ka përfunduar dhe se hetuesit, në bashkëpunim me inspektorët hekurudhorë, kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë për përplasjen.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dëmet e mëdha në vagonët e dy trenave, të cilët janë deformuar nga fuqia e goditjes.

Ndërkohë, operatori shtetëror hekurudhor ÇD ka njoftuar për ndërprerje dhe pengesa në qarkullimin e trenave në të paktën gjashtë linja. Sipas njoftimit, vonesat kanë arritur nga një deri në dy orë, ndërsa disa udhëtime janë anuluar dhe disa të tjera janë ridrejtuar.

Ndërprerjet në qarkullim pritej të vazhdonin deri në mesditë.