Përfaqësuesit e lëvizjes së mbështetur nga studentët e Serbisë do të zënë vendet e tyre në parlament të martën, ndërsa ky i fundit mblidhet për herë të parë që nga fitorja dërrmuese në zgjedhje, muajin e kaluar, që i dha fund 14 viteve të sundimit nga partia e krahut të djathtë e Aleksandar Vuçiç. Rezultati historik pasoi gati dy vjet protesta të shkaktuara nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad në vitin 2024 që vrau 16 persona. Fatkeqësia, për të cilën u fajësua gjerësisht korrupsioni, shkaktoi protestat më të mëdha të Serbisë që nga rënia e Slobodan Millosheviçit në vitin 2000 dhe hapi rrugën për fitoren në një platformë anti-korrupsion. Seanca inauguruese parlamentare do të njohë zyrtarisht shumicën e lëvizjes. Të zgjedhurit, kryesisht të sapoardhur politikë me sfonde akademike, do të bëjnë betimin dhe më pas do të fillojnë punën për të riorganizuar institucionet e vendit, sic kanë premtuar. Lista e Studentëve siguroi 140 vende në parlamentin me 250 anëtarë, të mjaftueshme për të qeverisur vetëm, ndërsa koalicioni i Vuçiçit fitoi 103. Partitë e pakicave morën shtatë vendet e mbetura.