Edi Rama prezantoi modelin e ri të prokurimit publik, ku inteligjenca artificiale Diella do të përfshihet në çdo fazë të tenderëve, nga dokumentacioni i bizneseve dhe përcaktimi i fondit limit, deri te vlerësimi i ofertave.
Rama premtoi më shumë transparencë dhe më pak burokraci, por pa dhënë detaje konkrete se kush do të mbajë përgjegjësi për vendimmarrjen e algoritmeve dhe si do të garantohet kontrolli mbi procesin e përzgjedhjes së fituesve.
“Sot jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit. Një sistem unik, jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë, ku inteligjenca artificiale do të flasë gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me prokurimet publike.
Për sipërmarrjen do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute. Po aq e rëndësishme është se do të ketë ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë.
Asnjë biznes s’do të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin për secilin biznes do të kalojë përmes Diellës.
Çdo biznes do të ketë një dosje virtuale, me të dhëna nga mbi 40 regjistra publikë, të cilët do të mund të hapen me një klik të vetëm. Kështu do të bëhet e gjithë puna që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz, duke harxhuar kohë dhe duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, tha Rama.
Ky do të jetë një revolucion për përcaktimin e fondeve limit, si dhe për mënyrën e shqyrtimit dhe të vlerësimit të ofertave. Të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës, e cila po përgatitet të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Procesi i reformimit dhe i modernizimit të prokurimit publik mbështetet në standardet e transparencës” -tha Rama.













