Emisioni investigativ “Vetting” rikthehet në ekranin e News24. Transmetimi u ndërpre gjatë periudhës së protestave, por puna në terren nuk u ndal asnjë ditë. Gjatë kësaj kohe redaksia mblodhi denoncime, verifikoi dokumente dhe hapi dosje të reja.
Ky sezon vjen me një fushë më të gjerë investigimi. “Vetting” do të ndjekë dyshimet për abuzime me tenderët në qeveri, ministri, bashki dhe institucione të tjera publike, si edhe rastet kur ushtrohet presion për të favorizuar një fitues të paracaktuar. Në fokus do të jenë gjyqtarë e prokurorë që dyshohet se kanë shkelur ligjin në ushtrim të detyrës, njerëz me pushtet dhe sekserë që dyshohet se ndikojnë në vendimmarrjen publike.
Kamera e “Vetting” do të hyjë në spitale, në arsim, në polici dhe në dogana. Emisioni do të denoncojë çdo formë dhune, përfshirë rastet kur punonjës të policisë dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Në qendër mbetet korrupsioni dhe kostoja që ai u ngarkon qytetarëve.
Dita e re e transmetimit u jep më shumë kohë për t’u përgjigjur edhe atyre që deri më sot kanë zgjedhur të heshtin. Redaksia do të ndjekë nga afër reagimet e qytetarëve dhe të organeve ligjzbatuese për çdo rast që bëhet publik.
“Vetting”, çdo të martë në orën 20:00, në News24. Ne denoncojmë me prova e fakte.
