Gjiknuri: Ta çojmë projektligjin për financimin e partive në Venecia! Bylykbashi: Ndalim, rivendosje dhe sanksionim, ja paketa jonë
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka kërkuar përshpejtimin e punës për përmbylljen e reformës, duke theksuar se afati i mandatit të komisionit po përfundon dhe kanë mbetur më pak se dy javë kohë. Gjatë mbledhjes së sotme, Gjiknuri prezantoi tri çështjet kryesore për të cilat, sipas tij, është rënë dakord me opozitën dhe ku duhet të përqendrohet puna e ekspertëve dhe e komisionit parlamentar. Bëhet fjalë për shqyrtimin e propozimeve të Partisë Demokratike përmes drafteve ligjore, përfundimin e projektligjit për financimi e partive politike dhe dërgimin e tij për një opinion të dytë në Komisionin e Venecias, si dhe trajtimin e rekomandimeve të paadresuara, veçanërisht depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Ky është një rend dite i dakordësuar, pra që të fillohet puna menjëherë pasi të vijnë propozimet e Partisë Demokratike në formë draftesh ligjore për paketën që ata kanë manifestuar, e kanë shpallur publikisht. Marrjen e vendimit nga Komisioni i Posaçëm në mënyrë të menjëhershme të çojmë projektligjin për financimin e partive politike, ta çojmë dhe njëherë për një opinion të dytë në Komisionin e Venecias, si dhe vazhdimi për çështjet e tjera për rekomandimet e paadresuara, siç është dhe ndarja, ose të themi depolitizimi i administratës zgjedhore, që është një nga rekomandimet kryesore i paadresuar ndër vite”, deklaroi Gjiknuri.
Sa i përket financimit të partive politike, bashkëkryetari socialist tha se projektligji është pothuajse i përfunduar dhe se në të janë reflektuar propozimet e palëve dhe opinioni i mëparshëm i Komisionit të Venecias. Ai kërkoi që ekspertët të japin komentet përfundimtare për të mundësuar dërgimin e draftit për një opinion të dytë.
“Kemi një projekt gati të përfunduar te ligji për financimin e partive politike, ku aty janë reflektuar të gjitha inputet, është marrë dhe opinioni i Komisionit të Venecias, ka nevojë për një feedback dhe një përmirësim të fundit, gjë që mund të realizohet në ditët e mbetura. Por, fatkeqësisht ky proces është bllokuar dhe ai ligj nuk është se qe thjesht dëshira jonë. Ne jemi dakord së bashku që ta trajtojmë në mënyrë konsensuale, megjithëse ligji mjafton edhe një shumicë të thjeshtë për ta miratuar. Është kërkesë e BE-së. Shpresoj dhe do të propozoja që të paktën në ditët e mbetura, duke filluar pse jo që sot, të jepet një feedback nga ana e ekspertëve të të gjitha palëve atje, me qëllim që të kemi një draft, ta mundësojmë, ta çojmë për opinion, nuk po them ta miratojmë në Parlament, ta çojmë për opinion të dytë në Komisionin e Venecias. Kështu që shpresoj të kemi mirëkuptim nga opozita. Koha është shumë e shkurtër, fatkeqësisht ka ngelur më pak sesa dy javë deri në skadimin e afatit të komisionit”, u shpreh Gjiknuri.
Ai paralajmëroi se nëse komisioni nuk arrin të përmbushë misionin e tij, qeveria do të ndërhyjë për të plotësuar standardet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes akteve të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Në të kundërt, pastaj jemi në një situatë shqetësuese ku ky komision nuk do ta përmbushë misionin e tij, objektin e punës që kishte për përgatitjen e një drafti plotë. Qeveria nuk do të rrijë duarkryq. Ne do bëjmë çmos që t’i plotësojmë standardet e OSBE/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke ndërmarrë të gjitha ato masa të nevojshme edhe me akte të nivelit qeveritar, pra vendime të Këshillit të Ministrave, po qoftë edhe KQZ në zbatim të ligjit mund të nxjerrë udhëzimet e nevojshme, të cilat do të rregullojnë më mirë këtë proces për sa i përket transparencës më të madhe, llogaridhënies dhe ndarjes së shtetit nga partia apo keqpërdorimit të burimeve shtetërore”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga opozita, Oerd Bylykbashi, deklaroi se konsensusi në këtë proces duhet të garantohet përmes së drejtës së vetos. Ai akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullave të funksionimit të komisionit në mbledhjen e kaluar, duke e cilësuar atë që ndodhi si provokim të qëllimshëm.
“E para, konsensusi ka për garanci veton. Ajo që ndodhi radhën që shkoi nuk ishte një incident, por një provokim i hapur dhe thyerje e rregullave bazë dhe, për rrjedhojë, për fatin e keq të këtij komisioni, për shkak të një provokimi që bëri mazhoranca, u përdor për herë të dytë në historinë 24-vjeçare të komisioneve bipartizane vetoja. Uroj që kjo të mos jetë e nevojshme, përfshi edhe sot. Këtu ka ende çështje të cilat nuk mund të kalojnë për diskutim në këtë komision. Ndarja e shtetit nga partia, një nga parimet kryesore të funksionimit të shtetit, bashkëkryetarit socialist i duket gjë e vogël, e parëndësishme. I duket e rëndësishme opozitës, por jo shtetit. Unë e kuptoj që kur e gllabëron shtetin, sigurisht që nuk të duket e rëndësishme”, u shpreh Bylykbashi.
Ai paraqiti qëndrimin e opozitës për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatat zgjedhore, duke kërkuar që shkeljet të ndalohen dhe të sanksionohen menjëherë, pa pritur përfundimin e zgjedhjeve.
“Sfida që po ju themi është kjo, që ta kapërcejmë me konsensus: miratojmë ligjin ose vazhdoni vidhni në këtë formë, por askush s’ka për t’ju pranuar këtë që bëni me zgjedhjet. Koncept bazë: ndalo, rivendos, sanksiono. Jo pas zgjedhjeve, jo pasi të kenë vdekur zgjedhjet, ndërhyrja duhet të jetë imediate. Të ndara qartë, ndalimi nga sanksioni. Ndalimi ka procedurë të veçantë, sanksioni ka procedurë të veçantë dhe garanci. Sanksionet duhet të prekin dhe përfitimet elektorale. S’mundet që një parti të fitojë mandate përmes përdorimit të shtetit. Sot një deputet e humbet mandatin kur përfiton nga burimet shtetërore. S’mund të fitosh e mbash një mandat duke përdorur burimet shtetërore, as deputeti, as partia. Ky është propozimi që bëjmë ne”, deklaroi Bylykbashi.
Duke shpjeguar më tej paketën e propozuar nga opozita, Bylykbashi tha se ajo parashikon ndalime të përhershme dhe kufizime të përkohshme, të cilat do të zbatohen në periudha të caktuara përpara zgjedhjeve. Sipas tij, regjimi i propozuar do të shtrihej në një periudhë 10-vjeçare dhe do të rishikohej çdo pesë vjet.
“Kemi konceptuar në këtë formë: ndalime të përhershme që vlejnë gjithmonë, të rritura në raport me atë që kemi sot; dhe ndalime të përkohshme, do jetë një regjim, në propozimin tonë 10-vjeçar, pra brenda këtij 10-vjeçari ku do ketë dhe një set masash të shtuara. Këto masa do rishikohen një herë në 5 vite, në 5-vjeçarin e parë mund të mos ketë nevoja për të vazhduar më tutje, por mund të ketë nevojë të shkojmë në 10 vite. Por gjatë këtij 10-vjeçari, kufizimet nuk aplikohen gjatë gjithë kohës, por me momente. Sa më shumë i afrohesh zgjedhjeve, aq më shumë ngrihen barrierat mbrojtëse.
Fillohet me dekretin e Presidentit, më pas me regjistrimet e subjekteve zgjedhore 75 ditë para dhe më pas me fillimin e fushatës. Sa më thellë shkohet, aq më shumë shtrëngohen barrierat”, shpjegoi ai.
Bylykbashi u ndal edhe te përdorimi i administratës publike gjatë fushatave zgjedhore, duke argumentuar se punonjësit duhet të mbrohen nga presioni i eprorëve dhe drejtuesve politikë për t’u angazhuar në aktivitete elektorale.
“Buxheti i shtetit, asetet shtetërore nuk kanë të drejta, përdoren për interes publik. Paketa jonë bën shumë kujdes me zgjedhësit dhe ata që kandidojnë, në mënyrë të veçantë me zgjedhësit në administratën publike. Në lidhje me administratën publike ne gjykojmë se duhet të vendosim regjim mbrojtës. Nuk ka asnjë pezullim të drejtash, por kufizim për periudha shumë të shkurtra gjatë 5 apo 10-vjeçarit që i shërbejnë zgjedhësit të mbrohet nga eprorët dhe drejtimi politik që të mos keqpërdoren.
Ju thoni që gjatë orarit të punës personi që do bëjë punën mund të bëjë dhe politikë. Kjo nuk ka sens, por të gjithë e dimë se nga minuta pas orës së punës njerëzit me bilbil detyrohen të dalin në shesh, në shtabe elektorale. Ne këtë do ta ndalojmë për një periudhë të caktuar që të shpëtojmë zgjedhësit nga ky abuzim prej eprorëve politikë. Në mënyrë të veçantë, në rastin e administratës publike, regjimi do jetë ndryshe: do jetë 5-vjeçar”, përfundoi Bylykbashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



