Është zhvilluar gjatë ditës së sotme mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi ka paraqitur qëndrimin e opozitës për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.
Ai kundërshtoi propozimet që i cilësoi si “copëza legjislacioni”, duke theksuar se opozita kërkon një paketë të plotë, me rregulla të qarta dhe sanksione konkrete për shkeljet gjatë zgjedhjeve.
Bylykbashi tha se duhet të përcaktohet qartë se çfarë nuk duhet të bëjë shteti gjatë procesit zgjedhor dhe të vendoset përgjegjësi për çdo shkelje. Sipas tij, sanksionet duhet të jenë të qarta dhe të ndjeshme, duke nisur nga masat administrative e financiare deri te ato penale.
“Propozimi ynë do të jetë edhe për sanksione penale të shkruara qartë, që prokuroria të mos ketë justifikim për paqartësi. Sot nuk ka njeri në burg për ato që janë shkelje ligji, pavlefshmëri zgjedhjesh”, u shpreh Bylykbashi.
Ai theksoi se, sipas propozimit të opozitës, në rastet kur një mandat deputeti është fituar përmes përdorimit të burimeve shtetërore, ai duhet të humbasë jo vetëm deputeti, por edhe partia përkatëse.
“Kush merr mandat në përdorim të burimeve shtetërore, humbet mandatin ai që vjedh dhe partia. Ai që vjedh nuk e mban dot gjënë e vjedhur. Jeni mësuar të bëni metra kub me para të vjedhura, bëni burgun dhe pastaj shfrytëzoni paratë. Nuk funksionon kështu”, deklaroi demokrati.
Në përfundim, Bylykbashi bëri të ditur se opozita do të paraqesë një paketë të plotë nenesh, të ndërtuar mbi një koncept të qartë për parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve zgjedhore.
© SYRI.net
Vijojnë takimet me shqiptarët – Sot në ora 17 Berisha zhvillon në Berat ‘Foltoren e Ripërtëritjes’
Zgjedhorja/ ‘Ke thënë tërmet elektoral… nënën’. Strazimiri i kujton Gjiknurit se doli në përgjimet e dosjes 184
Deklaratat në Asamble, Majko: Nuk fola për lidhjet erotike të socialistëve, por për lidhjet me krimin