Rusia godet urat në Ukrainë, probleme në furnizimin me energji dhe ujë
Dy ura të mëdha në Kiev janë goditur nga raketat balistike ruse, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe ndërprerje të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe ngrohje.
Sulmet ndodhën pak para mesnatës, ndërsa banorëve iu kërkua të strehoheshin në ambientet e mbrojtjes civile. Sipas autoriteteve, janë dëmtuar edhe disa linja të metrosë. Dy urat e goditura, që lidhin pjesët veriore dhe jugore të qytetit, janë ndër akset kryesore të lëvizjes për rreth tre milionë banorët e Kievit.
Ndërkohë, Ukraina ka goditur për të dytën ditë radhazi urën që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Moska.
Sulmet vijnë në një moment kur po vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar se Rusia mund të ndërmerrte goditje të tjera gjatë mbrëmjes së së hënës, ndërsa zyrtarë ukrainas, amerikanë dhe evropianë zhvilluan bisedime online, ku morën pjesë edhe i dërguari amerikan Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Nga ana tjetër, Moska pretendoi se ishte përballur me sulmin më të madh ukrainas me dronë që nga nisja e luftës.




