E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Pas ‘Diellës’, Rama përgatit krijimin e ‘Gjonit’: Do të merret me procese të Prokurimeve Publike
Lajme

Pas ‘Diellës’, Rama përgatit krijimin e ‘Gjonit’: Do të merret me procese të Prokurimeve Publike

Pas Diellës, Inteligjenca Artificiale e prezantuar më herët nga qeveria, një tjetër sistem teknologjik pritet të bëhet pjesë e administrimit të procedurave shtetërore. Bëhet fjalë për Gjonin, krijimin e të cilit e njoftoi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimit të Përqendruar.

Sipas Ramës, sistemi i ri do të ketë një rol të përcaktuar në një sërë procesesh që lidhen me prokurimet publike, duke plotësuar funksionet që pritet të kryejë Diella. Synimi, sipas tij, është që të dy sistemet të kontribuojnë në administrimin dhe kontrollin më të plotë të procedurave.

Kreu i qeverisë shprehu bindjen se përfshirja e Diellës dhe Gjonit do të ndihmojë në rritjen e besueshmërisë së procesit, veçanërisht në raport me operatorët ekonomikë që marrin pjesë në garat publike.

Rama u ndal edhe te transparenca e procedurave, duke theksuar se kompanitë që nuk shpallen fituese do të kenë mundësi të verifikojnë dokumentacionin dhe të gjitha fazat e procesit. Sipas tij, pavarësisht përdorimit të Inteligjencës Artificiale, kontrolli njerëzor nuk do të përjashtohet.

Ai sqaroi se procesi nuk do të jetë i kufizuar brenda një sistemi të mbyllur teknologjik, por do të mbetet i aksesueshëm edhe për verifikime manuale nga subjektet që mund të kenë pretendime.

Rama kujtoi gjithashtu debatet që shoqëruan prezantimin fillestar të Diellës, duke iu referuar edhe vëmendjes ndërkombëtare që mori projekti. Sipas tij, përdorimi i Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike nuk nënkupton eliminimin e mundësisë për të kontrolluar vendimmarrjen dhe dokumentacionin.

“Kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, i cili do të shfaqet së shpejti në këtë fushë dhe do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj dhe dua të shpresoj se do të fillojë të krijohet bindja që ka fitues me të drejtë dhe humbës me meritë.

Kjo, pasi të kalojë edhe një fazë kur ata që nuk fitojnë do të duan ta shohin me sytë e tyre dhe të kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse ai do të jetë gjithsesi i verifikueshëm edhe manualisht.

Pra, ndryshe nga sa u tha në fillim, kur ne e hodhëm këtë ide dhe deri te debati që hapi edhe New York Times për Diellën, nuk do të kemi një proces të mbyllur në ekranin e Diellës. Do të jetë një proces ku kushdo që ka pretendime do të mund ta ndjekë dhe ta kontrollojë edhe manualisht”, deklaroi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.