Metodat që qeveria ”Rama 4” ka ndjekur për të përballuar protestat e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin prej disa ditësh jane kritikuar nga organizatat shqiptaro-amerikane. Me anë të një letre, drejtuar Kryeministrit Edi Rama, 51 organizata kërkojnë ndalimin e forcës së ushtruar nga policia, pasi sipas tyre veprimet e uniformave blu cënojnë të drejtat civile.
“Që prej 13 tetorit 2026, tensionet janë përshkallëzuar në përplasje, plagosje dhe dëmtim të pronës. Qeveria duhet të tregoj përmbajtje për të ulur tensionet jo të përdorë forcën joproporcionale, të kryej arrestime masive dhe të ushtroj dhunë. Pas dhunës, qeveria vendosi gjoba të rënda dhe miratoi ligje kufizuese. Këto veprime kanë cenuar të drejtat civile, kanë thelluar mosbesimin dhe kanë nxitur më tej trazirat”, thuhet në letër.
Në letër organizatat kanë listuar një sërë kërkesash duke nisur nga ndalimi i përdorimit të plumbave të gomës e deri tek gjobat e vendosura ndaj protestuesve. “Ndaloni përdorimin e dhunës. Ndaloni përdorimin e plumbave prej gome, ujit me presion dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve e gazetarëve. Ulni praninë e rëndë të forcave të rendit në protestat paqësore dhe mos përdorni gjoba apo ndalime udhëtimi pa vendim gjyqësor për të ushtruar presion ndaj protestuesve”.
Gjithashtu kufizimi i lëvizjes së pjesëmarrësve është në shkelje. “Ndaloni arrestimet arbitrare. Lironi këdo që është ndaluar vetëm për pjesëmarrje në protesta paqësore. Çdo të ndaluari duhet tʼi bëhen të ditura menjëherë arsyet e arrestimit, në një gjuhë që kupton, dhe tʼi sigurohet qasje te avokati. Mos i regjistroni qytetarët si “individë të dhunshëmˮ dhe mos ua kufizoni qasjen në transport, aeroporte apo hotele pa vendim dënimi nga gjykata. Respektoni për qytetarët të njëjtin prezumim pafajësie që qeveria juaj ka kërkuar për zyrtarët e saj.”
