Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar zyrtarisht nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit caktimin e personave të kontaktit për të formalizuar bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të parandalimit dhe luftës kundër kriminalitetit zgjedhor, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në një shkresë drejtuar drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela si dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, KQZ kërkon që institucioni të caktojë një përfaqësues për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit mes institucioneve.
Letra i referohet zbatimit të rekomandimit të Kuvendit në kuadër të të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndërmerr hapat për formalizimin e bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në funksion të parandalimit dhe luftës kundër kriminalitetit zgjedhor.
Caktimi i personave përgjegjës, sipas KQZ-së, synon komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e shpejtë të informacionit me qëllim hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor.