Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë shumë pranë përfundimit, duke shprehur optimizëm për përpjekjet diplomatike që synojnë arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Gjatë një komunikimi me gazetarët në Manila të Filipineve, Trump theksoi se negociatat mund të sjellin rezultate dhe se përfundimi i konfliktit mbetet një nga prioritetet e tij.
“Unë mendoj se jemi shumë pranë përfundimit të kësaj çështjeje”, u shpreh presidenti amerikan, duke iu referuar luftës që prej vitesh po përgjak Ukrainën.
Gjatë deklaratës së tij, Trump u ndal edhe te numri i lartë i viktimave që po shkakton konflikti, duke e cilësuar situatën si tepër tragjike. Ai përmendi shifra të konsiderueshme të humbjeve njerëzore, duke theksuar se mijëra persona humbin jetën çdo muaj si pasojë e luftimeve.
“E imagjinoni dot këtë? Çdo muaj, 32 mijë vetëm muajin e kaluar”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur se çështja e luftës Rusi-Ukrainë do të jetë pjesë e diskutimeve të tij të ardhshme diplomatike, ndërsa vijojnë përpjekjet për të afruar qëndrimet mes Moskës dhe Kievit.
I pyetur nëse do të zhvillonte një takim të veçantë me presidentin rus, Vladimir Putin, Trump nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm për një takim nëse do të krijoheshin kushtet e përshtatshme.
“Nuk e di, por do ta bëja. Është e mundur. Do ta bëj”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur Uashingtoni po kërkon një zgjidhje diplomatike për t'i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar pasoja të rënda për të dyja vendet dhe ka tensionuar marrëdhëniet ndërkombëtare.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të shprehur nga presidenti amerikan, ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbetet për t'u parë nëse përpjekjet diplomatike dhe kontaktet e mundshme mes liderëve do të sjellin një përparim konkret drejt përfundimit të konfliktit.









Komente
Komento