Java Globale e Sipërmarrjes nis në Tiranë, Ibrahimaj: Më shumë mundësi për inovacion dhe sipërmarrje

Java Globale e Sipërmarrjes 2026 çeli siparin në Tiranë me Konferencën Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Edicioni i katërt i kësaj jave zhvillohet nën moton “Ndërto nga Shqipëria”.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj u ndal te zhvillimi i ekosistemit të startup-eve në Shqipëri, duke theksuar se nga një ekosistem që disa vite më parë nuk kishte as një regjistër dhe as tregues të qartë për startup-et, sot vendi numëron mbi 300 startup-e që kanë zhvilluar produktet e tyre, vijojnë aktivitetin dhe synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.
“Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, u shpreh ministrja.
Duke folur për mbështetjen financiare, Ibrahimaj bëri të ditur se vitin e kaluar financimi për ekosistemin e startup-eve u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë, për rreth 170 startup-e. Nga kjo skemë, bëri të ditur mininstrja, 43 produkte janë tashmë në treg dhe në funksion, ndërsa u financuan edhe tetë lehtësues të ekosistemit, të cilët mbështesin sipërmarrjet përmes mentorimit dhe shoqërimit gjatë zhvillimit të tyre.
Ministrja theksoi se mbështetja e sipërmarrjeve inovative kërkon jo vetëm financim, por edhe krijimin e mundësive për bashkëpunim, zhvillimin e kapaciteteve dhe lidhjen me tregjet ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ajo prezantoi disa nga prioritetet për vitin 2027, ndër të cilat krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit, një instrument të ri financimi për sipërmarrjet inovative, i cili synohet të ngrihet gjatë vitit të ardhshëm në kuadër të reformave të lidhura me Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.
“Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Do të punojmë për krijimin e tij në bashkëpunim me partnerët tanë. Ky instrument është pjesë e treguesve të reformës në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe synimi është që gjatë vitit 2027 ta kemi të ngritur këtë mekanizëm të ri inovativ financimi”, deklaroi Ibrahimaj.
Një tjetër zhvillim, sipas ministres, është hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë mundësi për edukim dhe zhvillim të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë Shqipërinë.
Po ashtu, ministrja bëri të ditur se do të punohet për rritjen e ekspozimit ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimit me partnerë si Departamenti i Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike dhe institucioni publik francez i investimeve “Bpifrance”.
Një tjetër drejtim është GovTech, përmes të cilit synohet t’u krijohen inovatorëve më shumë mundësi për të bashkëpunuar me sektorin publik, duke ofruar produkte dhe shërbime inovative në përputhje me rregullat dhe procedurat e Bashkimit Evropian.
Duke vënë theksin te dimensioni rajonal, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për ndarjen e përvojave, ndërthurjen e kapaciteteve dhe krijimin e projekteve të përbashkëta.
“Shpresoj që të zhvillojmë ide dhe projekte të përbashkëta me inovatorë nga Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe qytete e vende të tjera të rajonit.
Ne mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë. Jemi vende të vogla dhe secili prej nesh nuk mund të ketë kapacitete dhe ekspertizë në çdo sektor. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ndërlidhemi, të ndajmë përvojat dhe të ndërtojmë së bashku”, u shpreh ministrja.
Java Globale e Sipërmarrjes 2026 përfshin rreth 43 aktivitete në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Programi përmban konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për informim mbi alternativat e financimit, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe ndërtimin e partneriteteve të reja.
Java Globale e Sipërmarrjes (GEW Albania 2026) zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me rreth 40 aktivitete që synojnë të nxisin kulturën sipërmarrëse, të promovojnë inovacionin dhe të krijojnë ura bashkëpunimi mes sipërmarrësve, investitorëve, institucioneve dhe aktorëve të ekosistemit. Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë.
GEW Albania organizohet për të katërtin vit radhazi nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me autorizimin e Global Entrepreneurship Network (GEN).
Më poshtë fjala e plotë:
Është kënaqësi për mua të jem këtu sot dhe të them disa fjalë. Është një kënaqësi e veçantë që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm për ndërtimin dhe zhvillimin e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri.
Kam nisur të punoj me “EU for Innovation” në vitin 2021, në cilësinë e ish-ministres së Financave dhe Ekonomisë. Në atë kohë, nuk isha plotësisht e vetëdijshme për potencialin që mund të sillte inovacioni, por as për pozicionin ku ndodheshim ne, si Shqipëri dhe si rajon, në zhvillimin e ekosistemit të startup-eve.
Nuk kishte matje, nuk kishte tregues të performancës (KPI), nuk kishte një listë të identifikuar të startup-eve dhe, në fakt, nuk kishte as një përkufizim të qartë se çfarë ishte një startup.
“EU for Innovation” kishte nisur në vitin 2018, pra ky rrugëtim nuk filloi në vitin 2021, por ishte momenti kur nisi përfshirja ime në të.
Më pas, në vitin 2023, u riktheva me një fokus më të madh te ky ekosistem. Në atë kohë kishim dy programe “Challenge Fund”, përmes të cilave një numër sipërmarrësish ishin mbështetur, trajnuar dhe shoqëruar gjatë zhvillimit të ideve dhe bizneseve të tyre. Kishim gjithashtu një numër startup-esh të mbështetura financiarisht dhe lehtësues të ekosistemit të financuar nga qeveria shqiptare.
Pra, në vitin 2023, kur puna ime u përqendrua kryesisht te ekosistemi i startup-eve, kishim tashmë disa të dhëna dhe një numër startup-esh të identifikuara, të cilat kishin nisur të merrnin një formë më të strukturuar. Kishim filluar të organizoheshim dhe pikërisht në atë periudhë themeluam Agjencinë Shqiptare të Startup-eve, institucionin e parë të fokusuar në krijimin dhe zhvillimin e këtij ekosistemi.
Sepse gjithçka nuk lidhet vetëm me financimin. Ka të bëjë edhe me krijimin e mundësive, ndërtimin e lidhjeve mes bizneseve dhe startup-eve, si dhe me ndërgjegjësimin e sipërmarrjes dhe sektorit privat për atë që inovacioni mund të sjellë dhe për kontributin që ai mund të japë në të gjithë ekonominë, jo vetëm në ekosistemin shqiptar të startup-eve.
Më pas nisëm bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet shqiptare. U përpoqëm të nxisnim një ekosistem inovacioni që bashkon aktorë të ndryshëm dhe krijon ndërveprim mes tyre.
Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi tashmë një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare.
Jam gjithashtu e kënaqur që këtu kemi edhe përfaqësues nga rajoni, sepse, siç u theksua edhe më parë, mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë.
Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të bashkojmë sektorin privat, të bashkëpunojmë, të ndajmë përvojat dhe burimet njerëzore. Jemi vende të vogla dhe është e vështirë që secili prej nesh të ketë specializime në të gjithë sektorët. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ndërlidhemi, të ndajmë përvojat dhe të ndërtojmë së bashku.
Dhe, sigurisht, synimi ynë është të ndërtojmë nga Shqipëria. Ky është edhe motoja e aktiviteteve të kësaj jave.
Këtë javë organizojmë Javën Globale të Sipërmarrjes në Shqipëri, për të katërtin vit radhazi. Është një kënaqësi e veçantë të kemi një numër kaq të madh aktivitetesh gjatë kësaj jave, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për organizimin e eventeve. Bëhet fjalë për ndarjen e përvojave, prezantimin e asaj që kemi arritur dhe të asaj që mund të bëjmë së bashku.
Dhe kemi shumë për të ofruar.
Nuk kemi vetëm Challenge Fund dhe grantet shqiptare për startup-et. Ne kemi një sërë mundësish financimi për komunitetin e biznesit, përfshirë edhe komunitetin e startup-eve. Por është e rëndësishme që bizneset të informohen për këto mundësi, të kuptojnë se çfarë mund të përfitojnë dhe si mund t’i shfrytëzojnë ato.
Vitin e kaluar, përmes thirrjes për startup-et, dyfishuam financimin për këtë ekosistem. U alokuan 600 milionë lekë, ose rreth 6 milionë euro, për mbështetjen e rreth 170 startup-eve.
Por mbështetja jonë nuk u kufizua vetëm te financimi i startup-eve. Jam krenare të them se nga kjo skemë financimi, 43 produkte janë tashmë në treg dhe në funksion.
Gjithashtu, financuam tetë lehtësues të ekosistemit, sepse nuk është e rëndësishme vetëm të financosh një ide apo fazën e rritjes së një biznesi. Është po aq e rëndësishme ta shoqërosh atë gjatë gjithë rrugëtimit, të mësosh së bashku me sipërmarrësit, t’i mbështesësh, t’i mentorosh dhe t’u japësh të gjitha mundësitë për të zhvilluar potencialin e tyre.
Dhe ne nuk ndalemi këtu.
Gjatë kësaj jave do të flasim për financimin, komunikimin dhe bashkëpunimin. Do të lançojmë Akademinë e Startup-eve, e cila do të shërbejë si një instrument jo vetëm për startup-et që operojnë në Tiranë, por edhe për ato që zhvillojnë aktivitetin në të gjithë vendin.
Sepse, pa një shtrirje më të gjerë, nuk mund të arrijmë objektivat tona për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe për të fuqizuar talentin që ekziston në Shqipëri.
Dhe nuk do të ndalemi këtu. Gjatë gjithë vitit 2027 do të vijojmë punën për zhvillimin e këtij ekosistemi, ndërsa kemi nisur tashmë punën për krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit.
Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Do të punojmë për krijimin e tij në bashkëpunim me partnerët tanë. Ky instrument është pjesë e treguesve të reformës në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe synimi është që gjatë vitit 2027 ta kemi të ngritur këtë mekanizëm të ri inovativ financimi.
Një tjetër drejtim ku do të përqendrohemi është edukimi dhe formimi profesional. Siç e përmenda, do të hapim Akademinë dhe do të punojmë për forcimin e mëtejshëm të saj.
Së treti, synojmë të rrisim ekspozimin ndërkombëtar të startup-eve shqiptare. Do të punojmë për të qenë të pranishëm në panaire dhe aktivitete ndërkombëtare, duke promovuar ekselencën e startup-eve shqiptare dhe duke bërë të mundur që idetë dhe produktet e tyre të përfaqësojnë Shqipërinë në këto aktivitete.
Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me partnerë të rëndësishëm. Kemi nënshkruar tashmë memorandume bashkëpunimi me partnerë si Departamenti i Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike dhe institucioni publik francez i investimeve “Bpifrance”. Përmes përvojës së tyre, synojmë të ndjekim modelet e tyre të suksesshme dhe të përfitojmë sa më shumë nga prania në tregjet ndërkombëtare.
Së fundi, siç e përmenda edhe më herët, është e rëndësishme t’i shohim këto zhvillime në një perspektivë rajonale dhe ta trajtojmë ekosistemin si një ekosistem të përbashkët rajonal.
Për këtë arsye, do të intensifikojmë bashkëpunimin me vendet e rajonit. Shpresoj që të zhvillojmë ide dhe projekte të përbashkëta me inovatorë nga Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe qytete e vende të tjera të rajonit.
Një tjetër element ku do të punojmë gjatë vitit të ardhshëm është GovTech.
Ne duam t’u japim inovatorëve më shumë mundësi për të bashkëpunuar me sektorin publik. Po punojmë për të modernizuar mënyrën se si zhvillohen prokurimet publike dhe, në këtë kuadër, synojmë të krijojmë një mekanizëm që t’u japë inovatorëve mundësinë të ofrojnë shërbime dhe produkte inovative për sektorin publik, duke respektuar, natyrisht, procedurat dhe rregullat që zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian.
Do të dëshiroja që të gjithë ju të bëheni pjesë e aktiviteteve të kësaj jave.
Janë 43 aktivitete të shpërndara në të gjithë vendin, kryesisht në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Korça, Pogradeci dhe Vlora.
Do të kemi përvoja të jashtëzakonshme. Startup-et do të prezantojnë rrugëtimin, përvojat dhe produktet e tyre. Do të kemi pjesëmarrje dhe diskutime rajonale, si dhe mundësi për financim.
Por, mbi të gjitha, do të dëgjojmë se çfarë mund të na ofrojnë partnerët tanë, çfarë sugjerimesh kanë dhe çfarë mund të bëjmë më mirë së bashku në këtë drejtim.
Dua të falënderoj shumë Bashkimin Evropian për mbështetjen, si dhe Ambasadën Suedeze dhe Ambasadën Gjermane.
Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe shpresoj shumë që të vazhdojmë së bashku në këtë drejtim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









