Takimi i krerëve të shteteve kineze, ruse dhe amerikane në Shenzhen të Kinës Jugore do të jetë takimi i parë ballë për ballë në histori që përfshin udhëheqësit kryesorë të tre vendeve, deklaroi të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, citon “Xinhua”.
Sipas ministrisë, presidenti kinez Xi Jinping do të mbajë një samit Kinë-Rusi-SHBA me homologun rus, Vladimir Putin, dhe atë amerikan, Donald Trump, në Shenzhen më 19 nëntor.
Mao tha se krerët e shteteve do të kenë një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet e vendeve kryesore, gjë që është me rëndësi të jashtëzakonshme.
Duke vënë në dukje se Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të gjitha anëtare themeluese të OKB-së dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Mao tha se të tre vendet kanë luftuar së bashku për të arritur fitoren e Luftës Botërore Antifashiste.
Në rrethanat aktuale, tha ajo, të tre vendet mbajnë përgjegjësinë e rëndësishme të bashkëpunimit për të adresuar sfidat globale dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin botëror.
“Forcimi i komunikimit, menaxhimi dhe kontrollimi i dallimeve dhe stabilizimi i marrëdhënieve midis Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara i shërbejnë interesave të të tre vendeve, përmbushin pritjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe janë të favorshme për stabilizimin e situatës botërore dhe promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit”,- tha Mao.










