E martë, 17 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kulturë

Tirana kujton Ditën e Çlirimit, 82-vjet më parë mori fund pushtimi nazist i kryeqytetit

Nga Tea Sadiku

“82 vite më parë, Tirana shkruante një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së saj. Mes betejave dhe sakrificave, më 17 nëntor 1944, kryeqyteti fitoi lirinë.”

Me kurora lulesh dhe homazhe në nderim të dëshmorëve, Tirana përkujtoi 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, deputetë, veteranë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët kujtuan sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e kryeqytetit.

Për veteranët, kjo ditë mbetet një simbol i qëndresës dhe i sakrificave që nuk duhen harruar.

Reklamë

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, vlerësoi kontributin e të rinjve dhe të rejave që luftuan për çlirimin e qytetit, por edhe të familjeve tiranase që strehuan dhe mbështetën luftëtarët antifashistë.

“Ndodhemi sot këtu para këtij monumenti, simbol i gjithë djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, për të kujtuar një ndër ditët më historike të këtij qyteti. 82 vite më parë, në Tiranë agoi një ditë e re, e lirë nga pushtuesi i huaj, falë veprës më sublime që populli mund të bëjë, falë gjakut të mijëra të rinjve dhe sakrificës së qindra familjeve tiranase.”, tha Sadi Vorpsi.

Ai theksoi se nderimi i dëshmorëve dhe përcjellja e historisë te brezat e rinj mbeten një përgjegjësi e përbashkët.

“Është detyra jonë, por edhe e të gjithë brezave që do të vijnë, të nderojmë veprën e atyre që zgjodhën të vdisnin në këmbë për një popull, që ky popull të mos ishte i gjunjëzuar.”

Historia e Çlirimit të Tiranës u rikthye edhe përmes fotografive dhe dokumenteve të kohës. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizoi në Parkun “Rinia” një ekspozitë të veçantë, duke sjellë për qytetarët dëshmi historike nga ngjarjet e nëntorit të vitit 1944.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.