Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësime për gjendjen shëndetësore të klientit të tij, duke deklaruar se prej ditësh kërkojnë nga Drejtoria e Burgjeve përgjigje dhe dokumentacionin mjekësor për dëmtimin e këmbës.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Ndreca tha se Veliaj ka rreth dy muaj që vuan nga një frakturë në këmbë, të cilën, sipas tij, e ka pësuar gjatë kohës që luante futboll në IEVP Durrës. Avokati pretendon se problematikat me trajtimin shëndetësor janë shfaqur pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit, ku për një periudhë nuk i është ofruar trajtimi i nevojshëm.
Sipas Ndrecës, pas kërkesave të vazhdueshme është kryer një rezonancë dhe grafi, por familjarët dhe avokatët ende nuk kanë marrë ekzaminimet për t’i konsultuar me mjekë të specializuar. Ai tha se edhe një vizitë e planifikuar për ditën e sotme, në orën 14:00, nuk u realizua, pasi nuk morën përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve.
“Kemi ditë që duam të marrim një përgjigje për gjendjen shëndetësore të zotit Veliaj, bazuar në grafinë dhe rezonancën që i është bërë. Sot kishim lënë në orën 2 një vizitë, por edhe sot nuk u kthye përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve për të kuptuar çfarë nevoje ka Veliaj për ndërhyrje, si duhet bërë dhe kur duhet bërë. Ka ditë që bëjmë kërkesa dhe nuk na jepen rezonanca dhe grafia që t’i konsultojmë, ose të lejohemi t’i kryejmë këto veprime në një spital të zgjedhur prej nesh”, u shpreh Ndreca.
Ai shtoi se aktualisht Veliaj mban një çizme ortopedike, ka dhimbje të vazhdueshme dhe merr qetësues, ndërsa prej dy muajsh lëviz me paterica.
“Zoti Veliaj ka dy muaj që ka këtë problem shëndetësor, ka thyerje të këmbës. E ka thyer duke luajtur futboll në IEVP Durrës, por problematikat nisën pas transferimit në Fier, ku nuk iu dha shërbimi. Në Durrës ishte ndjekur nga një mjek. Sot këmbën e ka në çizme ortopedike. Me transferimin në Fier, për një kohë nuk iu dha as trajtim fare, pastaj erdhi një doktor që kërkoi rezonancë dhe grafi. U bënë këto, kërkuam rezultatet që t’i konsultojmë me një mjek të specializuar, akoma edhe sot nuk i kemi këto. Na janë dhënë informacione interpretuese të mjekëve, por na duhen grafia dhe rezonanca për t’i konsultuar me mjekët. Zoti Veliaj ka gjithë kohës dhimbje dhe merr qetësues për të ndaluar dhimbjet”, deklaroi avokati.
Ndreca bëri me dije se takimi i fundit me Veliajn ka qenë disa ditë më parë, duke përsëritur shqetësimin për mungesën e dokumentacionit mjekësor dhe paqartësinë mbi trajtimin e mëtejshëm të tij.
