Kompensimi financiar i bizneseve të dëmtuara nga protestat e dhunshme të tetorit pritet të nisë në janar të 2027-ës. Këtë të martë komisioni i Ekonomisë miratoi Aktin Normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël të dëmtuar për 100% të vlerës së dëmit që i është shkaktuar.
“Parimi është i qartë, shteti e dëmshpërblen biznesin e dëmtuar pa asnjë faj, dhe më pas e kërkon këtë shumë nga ai që e ka shkaktuar. Brenda 30 ditëve do të bëhet verifikimi i dëmeve, brenda 30 ditëve të tjera bëhet pagesa drejt në llogarinë bankare”, tha zëvendësministri i Ekonomisë Mario Keputa.
Janë 126 biznese që kanë raportuar në tatime një dëm që ka arritur në 3.59 milionë euro, por kjo nuk është vlera që do të kompensohet e gjitha pasi do të verifikohet edhe nga administrata tatimore.
“Administrata tatimore e krahason kërkesën me të dhënat që biznesi ka deklaruar vetë, me ato të vitit 2025, pastaj verifikohet që dëmi lidhet me ngjarjen e atyre ditëve. Eksperti i licencuar verifikon dëmin, ministria merr vendimin dhe pagesa kalon në llogari”, tha zëvendësministri.
Nga ky akt do të përfitojnë vetëm bizneset e vogla të dëmtuara nga datat 13-22 tetor, thotë zëvendësministri teksa sqaron se si do të bëhet kontrolli për statusin e biznesit që ka raportuar dëme.
“Akti mbulon biznesin e vogël me xhiro deri 14 milionë lekë, sipas deklaratës së vitit 2025. Shteti do të kompensojë biznesin dhe më pas do të kërkojë nga Avokatura e Shtetit kërkon kthimin e shumës nga ata që e kanë shkaktuar dëmin, fillimisht vullnetarisht dhe më pas deri në gjykatë”, thotë zëvendësministri.
Dëmet e raportuara deri më tani janë ato fizike në biznese, me ambiente të thyera por edhe të plaçkitura, por humbja është edhe më e madhe edhe në fitimin e munguar, por për këtë bizneset të drejtën duhet ta kërkojnë në gjykatë.
“Për një biznes të vogël, dëmi nuk mbaron tek vitrina, malli apo pajisjet, pasi kur veprimtaria ndërpritet është një dëm i dytë ekonomik, nga rrogat e punonjësve, detyrimet e furnitorëve apo këstet e kredisë që vazhdojnë ndërkohë që të ardhurat ndërpriten”, tha Keputa.
Kurse deputeti i PS, Erion Braçe kërkoi të përfshihen në skemën e dëmshpërblimit edhe ndërmarrjet shtetërore, dhe fatura të paguhet nga protestuesit e dhunshëm.
“Ka një muaj që rrugët e Tiranës janë pa semaforë, është rrezik. Është cenuar rendi publik në Tiranë. Nuk mund të paguaj bashkia çdo gjë. Shërbimi i pastrimit është jetik ndryshe qelbemi, apo ndriçimi duhet të rikuperohen, zyrat e shtetit duhet të kthehen në funksion të plotë. A janë evidentuar këta njerëzit që kanë shkaktuar dëme apo jo? Nëse i shkoni parimit që dhunuesi paguan bëjeni efektive, sepse akti është efektiv, kur dhunuesi, shkatërruesi apo djegësi paguan”, tha Braçe.
Në komision nuk munguan as polemikat nga deputetët e opozitës.
“Po në rastin e dëmtimeve shëndetësore të protestuesve pse nuk bëni akt normativ”, tha deputeti i PD-së Igli Cara.
Përmes dritares elektronik “Dëmi im”, bizneset vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara në njësitë e tyre tregtare dhe më pas Administrata Tatimore kryen evidentimin e dëmeve.