‘Parti-shtet-krim’/ Kedhi: OSBE evidentoi ndikimin në zgjedhje! Shqipëria është kthyer në narkoshtet

15:25, 17/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka deklaruar se reforma zgjedhore nuk mund të kufizohet në ndryshime të pjesshme të Kodit Zgjedhor, por duhet të adresojë atë që ai e cilëson si problemin themelor të zgjedhjeve në Shqipëri: lidhjen mes partisë në pushtet, shtetit dhe krimit të organizuar.

I ftuar në SYRI TV, në një intervistë me Sibora Bitrin, Kedhi tha se raportet e OSBE/ODIHR kanë evidentuar mjegullimin e kufirit mes partisë dhe shtetit, si dhe ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore.

Sipas Kedit, për sa kohë ekonomia shqiptare kontrollohet nga paratë e drogës dhe krimit, të cilat më pas kthehen në ndikim elektoral, nuk mund të flitet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai theksoi se ndarja e shtetit nga partia në pushtet dhe goditja e ndikimit të krimit duhet të jenë prioritetet e reformës, ndërsa propozimet për lista 100% të hapura, balotazh dhe financimin e partive politike vijnë në një fazë të dytë.

Kedhi: Në radhë të parë qëndrimi ynë është i qartë. Nuk duhen arnime, nuk ka nevojë më për arnime pasi nuk është kjo ajo që duan qytetarët shqiptarë. Qytetarët kërkojnë një paketë të qartë, me sanksione për problemet që janë këtu dhe një reflektim i të gjitha rekomandimeve që bën OSBE/ ODIHR në Shqipër për sa i përket zgjedhjeve. Nuk bëhet zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse sipas raporteve të OSBE/ ODIHR, është mjegulluar në radhë të parë vija ndarëve mes partisë dhe shtetit, pra këtu këtu kemi një parti shtet. Për herë të parë raporti i OSBE/ ODIHR përmed edhe ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor, pra kemi jo vetëm një parti-shtet por kemi një lidhje parti-shtet-krim. Ky është elementi thelbësor që do duhet që Komisioni për Reformën Zgjedhore të adresojë, ku të tjerat janë elemente dytësorë, përfshi edhe Kodin Zgjedhor, apo edhe elementët e tjerë. Nëse nuk arrijmë të ndajmë shtetin nga partia në pushtet, s’ka si të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka asnjë vend në BE apo edhe në vendet anëtare të NATO-s që të kenë një problematikë të tillë.

Ky është qëndrimi i pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare përfshi edhe opozitën politike. Qëndrimi i mazhorancës është shumë i qartë por ata nuk dalin as në media që të qartësojnë qëndrimin e tyre, e as në debat.

Elementi i dytë i krimit të organizuar, se dikush mund të thotë se krimi i organizuar është edhe në vende të tjera, qoftë në Serbi apo në Itali dhe vende me demokraci më të konsoliduar, por këtu ka ndodhur një gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në kontinentin Europian, pasi këtu kemi një pushtim të ekonomisë nga paratë e drogës dhe krimit. Krahasimet me Shqipërinë e vendeve të tjera janë të gabuara. Ne jemi në një narkoshtet, ku narkoeuro dhe narkodollari pushtojnë dhe kontrollojnë të gjithë ekonominë shqiptare dhe këtë sundim që i bëjnë ekonomisë shqiptare, më pas e përkthejnë në influencë elektorale me mjete jopolitike. Më pas vijnë elementët e tjerë si sistemi elektoral, ku ne kemi çuar në komision dhe në publik propozimin që vjen edhe nga partitë e rëja dhe segmente të shoqërisë shqiptare për lista të hapura 100%. Në zgjedhjet lokale kemi propozuar lista të hapura për Këshilltarët Bashkiakë, 2 raunde, rikthimin e balotazhit, ligjin për financimin e partive politike e kështu me radhë. Por elementët kryesorë që duhen adresur janë, ndarja e partisë nga shteti dhe adresimi i faktit që ne jemi kthyer në një narkoshtet dhe nuk ka asnjë narkoshtet në botë që të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi janë 2 koncepte krejt të kundërta. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco