Rama prezanton Gjonin, inteligjenca e re artificiale që do t’i bashkohet Diellës në tendera
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një tjetër modeli të Inteligjencës Artificiale, të quajtur “Gjoni”, i cili do t’i bashkohet Diellës në administrimin dhe mbikëqyrjen e proceseve të prokurimit publik. Në harmoni me Diellën, një avatar i aktores Anila Bisha, pritet që Gjoni mund të jetë edhe avatar i Gjergj Lucës, katolik si Gjoni, ish aktor, dhe ndërkaq person mjaft publik me postimet e tij jo vetëm për biznesin e peshkimit por edhe çështje të tjera përfshi edhe ato politike.
Gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimit të Përqendruar, Rama tha se Gjoni do të ketë një rol të specializuar në një sërë procesesh të prokurimit, duke plotësuar funksionet që i janë caktuar Diellës.
Kreu i qeverisë deklaroi se beson që përfshirja e të dy sistemeve të inteligjencës artificiale do të ndihmojë në rritjen e besimit te proceset e tenderave, në mënyrë që fituesit të konsiderohen si të merituar dhe humbësit të pranojnë rezultatin.
Rama theksoi se procesi nuk do të jetë i mbyllur brenda sistemit të Diellës, por do të mund të kontrollohet edhe manualisht nga kompanitë që kanë pretendime për procedurat.
“Pra, ndryshe nga sa u tha në fillim kur ne e hodhëm këtë ide edhe arriti deri dhe New York Times të hapte debat për Diellën, nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, por do të jetë një proces ku çdokush që do të ketë pretendime do të mund ta ndjekë atë dhe manualisht”, deklaroi Rama. a.b





