E martë, 17 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Mungon kompromisi për sistemin, PD: Ta bëjmë proporcional kombëtar. PS: Të ulim numrin e deputetëve në 101

Dy javë para se të përfundojë mandati i Komisionit të Reformës Elektorale, konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës duket po aq i largët sa ditën e parë kur u ngrit ky komision. Partia Demokratike deklaroi se kërkon një reformë të plotë, që nis me ndryshimin e sistemit, rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë dhe masa të ashpra për ndarjen e shtetit nga partia.

“Ne kërkojmë sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura për zgjedhjet parlamentare, ku zgjedhësi të ketë disa zgjedhje, jo një, dhe me prag zgjedhor që të mos pengojë partitë të hyjnë edhe vetëm në zgjedhje. Kërkojmë lista 100% të hapura për këshillin bashkiak, që sot janë të mbyllura nga viti 2000, kur Partia Socialiste ka miratuar Kodin Zgjedhor.”, tha Oerd Bylykbashi, Bashkëkryetari i komisionit nga radhët e PD-së.

Qëndrimi i demokratëve për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura nuk ka ndryshuar, por njësoj nuk ka ndryshuar as qëndrimi i socialistëve për reduktimin e numrit të deputetëve. E vetmja kundërofertë e mazhorancës për të çelur debatin për sistemin është propozimi për uljen e numrit të deputetëve nga 140 që është aktualisht në 101.

“Sistemi zgjedhor i propozuar, që kërkon proporcional kombëtar, që patjetër do të kërkojë edhe ndryshimin e Kushtetutës, nga ana jonë ka një kundërofertë, sepse krijon disa implikime ai sistemi proporcional kombëtar. S’ka lidhje me listat e hapura, ka lidhje me numrat, me stabilitetin e hartës politike që krijohet në Kuvend dhe stabilitetin e formimit të qeverisë. Kjo është çështje që duhet gjykuar veç. Nëse ju jeni për proporcional kombëtar, që natyrshëm i hap rrugë edhe shumë partive të tjera të vogla për të hyrë në Parlament, hajde të diskutojmë formulën për uljen e numrit të mandateve. Kaq!”, tha Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste.

Reklamë

Por, edhe pse diferencat mes palëve u shtrinë në çdo çështje të diskutuar, PD dhe PS ranë dakord që të ftojnë ekspertët e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për të dhënë ekspertizën e tyre dhe për t’i ndihmuar në arritjen e një konsensusi për draftin e paraqitur nga opozita për ndarjen e shtetit nga partia, por edhe për draftin “Për Financimin e Partive Politike”.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.