Ndryshojnë sërish çmimet e karburanteve, Bordi i Transparencës ul naftën dhe benzinën
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend, krahasuar me vendimin e mëparshëm të datës 12 nëntor.
Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës ka zbritur nga 210 në 207 lekë për litër, duke pësuar një ulje prej 3 lekësh. Ndërsa benzina është ulur me 1 lek, nga 165 në 164 lekë për litër.
Edhe çmimi i gazit për automjete ka pësuar ulje me 1 lek, nga 71 në 70 lekë për litër.
Ndryshime ka edhe për gazoilin që përdoret në aktivitetin e peshkimit, ku çmimi është ulur nga 114 në 112 lekë për litër.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 17 Nëntor 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 207 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 195 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 164 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 152 lekë/litër.
✅Cmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 70 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 58 lekë/litër për automjetet.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 112 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 ora 17.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.




