Deputeti i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë diskutimeve në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kërkoi një reflektim të përbashkët për problematikat e evidentuara nga raporti i OSBE-ODIHR-it, duke theksuar se zgjedhjet nuk u zhvilluan në kushte të barabarta konkurrimi dhe se shteti u përdor në funksion të interesave të pushtetit.
Mediu kërkoi ndarjen e shtetit nga pushteti, luftën kundër ndikimit të krimit në politikë, rikthimin e koalicioneve dhe garantimin e listave të hapura. Ai propozoi gjithashtu që të diskutohet mundësia e një qeverie kujdestare përpara zgjedhjeve, si një zgjidhje politike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas Mediut, reforma nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e ndryshimeve teknike, por kërkon konsensus politik dhe përgjegjësi të përbashkët, në të kundërt rrezikohet të thellohet kriza e parlamentarizmit dhe e përfaqësimit politik në vend.
Fjala e plotë:
Ne si opozitë në këtë komision zgjedhor nëpërmjet z. Bylykbashi u përpoqëm që të shprehim edhe të vendosim një komunikim me ju për një çështje që nuk është thjesht një shpikje apo një shpikje e jona por është i përcaktuar qartë në raportin e OSBE-ODIHR-it. I cili ka thotë qartë që nuk ka pasur një fushë të barabartë konkurrimi në këto zgjedhje dhe përveç asaj ka shprehur qëndrimin që shteti dhe pushteti janë njësuar në një dhe shteti është përdorur si nga pikëpamja financiare por dhe si strukturë në shërbim dhe interesat e pushtetit për të fituar zgjedhjet.
Dhe unë besoj që ky është një moment që duhet të na bëjë që të gjithëve të reflektojmë dhe ju zoti Gjiknuri do të thotë më përpara se të gjykoni se çfarë propozojmë ne edhe sa të vlefshme janë, janë politike apo janë konkrete, mendoja që ashtu si ne dhe ju keni përgjegjësinë për ta parë këtë shqetësim të ngritur nga OSBE ose OSBE-ODIHR-i dhe për të dalë me propozimet tuaja konkrete.
Sepse është çështje e komisionit të reformës zgjedhore, nuk është çështje e njëanshme. Dhe të diskutojmë edhe me ekspertët se kush janë elementët që duhen zgjidhur. Tashi ne mund të flasim pafund që këtu ka administratë, këtu ka shtet, ka kushtetutë e të gjitha, por këtu ndajmë qëndrimet ca në zë dhe ca në zë përsa i përket situatës që po përjetojmë. Dhe për më tepër të një shfaqjeje të qartë të një them krize të madhe politike në vend e cila shprehet në të gjitha drejtimet, pavarësisht se si dhe sa duam ta lexojmë. Që nga viti 2013 zoti Gjiknuri nuk kemi bërë asnjëherë një reformë zgjedhore të plotë apo kemi injoruar totalisht rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
Nuk kemi arritur të bëjmë një reformë të plotë. Që nga koha kur Edi Rama është bërë kryeministër i vendit nuk ka pasur asnjë marrëveshje politike për reformën zgjedhore e kërkuar qartësisht për një praktikë konsensuale dhe nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë strategjikë dhe nga OSBE-ODIHR-i. Dhe arsyeja dhe përgjigjja është e thjeshtë sepse qëllimi i tij nuk janë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe kjo është e provuar dhe unë këtë nuk e them në mënyrë subjektive të njëanshme. Por dua të them që kriza është thelluar akoma më tej në aspektin kushtetues dhe këtu po flas politikisht dhe e përsëris edhe një herë. Për fatin e keq ku vendi i Shqipërisë nuk është më një organ përfaqësues i qytetarëve. Për sa kohë jemi demokraci parlamentare do të thotë që qytetarët delegojnë autoritetin e tyre me votë te përfaqësuesit që i zgjedhin vetë dhe nuk ia japin të gatshëm dhe të emëruar për t'i përfaqësuar në kuvendin e Shqipërisë.
Dhe ky është një moment që duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithë sepse po ta shikojmë se si ndodhemi tani, në ç'lloj stadi jemi, dhe besoj kjo ju do të thotë për këdo që merret me politikë dhe sado pak vlerëson kushtetutshmërinë e vendit e shikon që organi kryesor i këtij vendi, të një republike parlamentare siç është parlamenti, është kthyer në një aneks pa vlerë dhe përderisa është një aneks pa vlerë dhe ne këtu me njëri-tjetrin konsumojmë fjalë pafund, retorikë politike pafund sepse vendimmarrjen nuk e kemi në komision më. Vendimmarrja është tek ai që i gjetkë, te interesat e pushtetit dhe tek ekzekutivi. Dhe ky është një, kjo është një situatë e papranueshme. Ju keni qenë pjesë e reformave në nivele të ndryshme zoti Bylykbashi por dhe unë për një eksperiencë dhe një kohë të gjatë. Dhe kemi bërë reforma shumë thelbësore që kanë garantuar zgjedhje të lira e të ndershme po flas për reformën që u bë para vitit 2005.
Kemi bërë diskutime për të gjetur konsensus politik në momente të shkeljeve kushtetuese nga ana juaj siç kanë qenë zgjedhjet lokale në vitin 2007 për t'i shtyrë zgjedhjet vetëm që të kishim një përshtatje dhe një përfshirje të të gjithë forcave politike për moskrijuar defekte të mëdha në qeverisjen e vendit në atë kohë, do të thotë për përfshirjen e Partisë Socialiste e të kandidimit të vetë zotit Rama që ishte kandidat për kryetar bashkie. Por ndoshta për ta shkurtuar pak këtë merakun tonë zoti Gjiknuri edhe ju kolegë të tjerë, për t'i çliruar një çikë edhe ekspertët nga barra e madhe se çfarë duhet të bëjnë ata e çfarë duhet të bëjnë të tjera, në pikëpamje të asaj që është sistemi zgjedhor, juve të paktën minimalisht duhet të ofroni atë që keni pasur.
Pra privilegje apo të drejta që keni pasur në momentin kur keni ardhur në pushtet. Le t'i kthehemi sistemit zgjedhor të vitit 2013. Sepse me kohën ka agravuar gjithmonë e më për më keq. Ju në mënyrë të njëanshme, dhe besoj kjo është e papranueshme për këdo që ka sado pak sens normal parlamentarizmi apo përgjegjësie, ndryshuat kushtetutën për tre ditë, që as nga këto republikat e botës së tretë, Xhibuti apo republika e bananeve nuk e ndryshon një vënd anëtar i NATO-s kushtetutën për tre ditë.
Dhe hoqët të drejtën e koalicioneve. Koalicione të cilat ju i keni pasur si një marrëdhënie tuajën politike dhe elektorale për të ardhur në pushtet në vitin 2013. Dhe kjo është një çështje që patjetër duhet vlerësuar. Sepse keni shkatërruar pluralizmin me atë lloj marrëdhënie që u krijua. Shkatërrimin e çdo subjekti i cili kërkon që të angazhohet politikisht për të bërë një ndryshim të mundshëm nëpërmjet koalicioneve apo nëpërmjet individëve që konkurrojnë. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoja që duhet patjetër të kemi edhe një reflektim në raport me këtë çështje. Por aty ku e tha zoti Bylykbashi në qoftë se ne nuk do ta marrim seriozisht ndarjen e shtetit nga pushteti, shkëputjen e lidhjeve kriminale me politikën, dhe të mos ndëshkojmë komisionerët fatkeq të cilët futen në proces për të manipuluar me urdhër politik për shkak të nevojave që ata kanë apo përfitimeve që mund të kenë, dhe ky ndëshkim do të lëri jashtë pikërisht ata që e kanë kryer krimin, partia politike përkatëse apo kandidati përkatës, dhe ka praktika në vende të ndryshme që ndëshkohet ai që është urdhëruesi dhe është konkurruesi në proces dhe jo ai që është elementi fundor i procesit.
Dhe megjithë ato si të them elementët e garancisë që të mos abuzohet politikisht. Dhe e them me bindje që me këtë nivel të parasë të krimit të organizuar, të pastrimit të parave në Shqipëri, të tendencës për të kontrolluar dhe për të ushtruar pushtet në rrugë kriminale nga grupe të ndryshme, do të jetë shumë e vështirë që neve të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ky është një realitet i cili do të thotë në mënyrë të vazhdueshme po e zhbën parlamentarizmin në Shqipëri. Dhe po vij në një moment tjetër politik. Në qoftë se jemi këtu si politikanë duhet edhe të shikojmë, jo vetëm përtej atyre që janë rekomandimet teknike të ODIHR-it, çështja është zgjidhja politike e problemit. Të paktën përvoja ime historike në politikën shqiptare për një kohë të gjatë ka provuar që ne herë pas here në momentet e moskuptimeve politike për një interes më madhor të qetësisë politike dhe institucionale kemi bërë zgjidhje, ndonjëherë in extremis, por kemi bërë zgjidhje. Jemi ulur, kemi diskutuar, nuk ka qenë asnjëherë mëkat as dorëheqja, nuk ka qenë asnjëherë mëkat as bashkëpunimi politik, nuk ka qenë asnjëherë mëkat as qeverisja e përbashkët sepse këto i kanë shërbyer një interesi madhor të vendit.
Dhe një shtet fqinj këtu me ne, Maqedonia e Veriut, e cila ka pasur probleme në mënyrë të vazhdueshme, shumë më të lehta se sa që kemi ne përsa i përket çështjeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme, arriti në një marrëveshje për të krijuar atë që quhet qeverisja kujdestare përpara zgjedhjeve. Pse? Sepse dhe atje si këtu, interesat korruptive dhe interesat kriminale nuk lejonin zgjedhje të lira e të ndershme. Biles si në Shqipëri në nivele më të ulëta, u dëshmuan nëpërmjet fakteve, intercepteve e të tjera ndërhyrja në proceset zgjedhore nga një element të caktuar. Dhe kjo ndëshkon çdo lloj subjekti politik dhe sidomos besimin e qytetarëve.
Prandaj dhe ideja për të pasur një qeverisje kujdestare e cila tashmë kërkohet edhe nga qytetarët në mënyrë masive, domethënë sepse nuk kanë më besim te sistemi dhe kjo duhet të na trembë që të gjithë, zhbërja e politikës në raport me atë çka ndjejnë qytetarët dhe çfarë duan të bëjnë qytetarët, do ishte mirë që domethënë si element i mirëkuptimit politik për zgjedhje të lira e të ndershme, qeverisja kujdestare të jetë një çështje që duhet ta diskutojmë për mandatin që duhet të ketë dhe mënyrën si duhet të organizohet. Dhe pastaj padyshim, domethënë unë e thashë mendimin tim, le t'i rikthehemi edhe ligjit të vitit 2013, për mënyrën si ka organizuar, si ka funksionuar edhe gara, për zgjedhje e tjera apo dhe koalicionet, por për sa kohë qytetarët ndihen të përjashtuar nga delegimi i autoritetit të tyre tek deputetët për t'u përfaqësuar në kuvendin e Shqipërisë, mendoj që listat e hapura janë një domosdoshmëri sot politike.
Edhe për një arsye të thjeshtë, të jesh politikan do të thotë të konkurosh, të konkurosh do të thotë që domethënë të marrësh besimin e atyre që të votojnë. Dhe kush është i zoti ta marrë këtë mirëbesim patjetër që duhet të përfaqësojë. Dhe duke e marrë atë mirëbesim ka dhe përgjegjësinë që në kuvendin e Shqipërisë mos bëjë lojën e kryetarëve të partive apo të interesave korruptive dhe klanore por të bëjë atë detyrë që ia kanë caktuar zgjedhësit që e kanë zgjedhur. Pra, në të gjitha ato çka dua të them është që o do arrijmë në një mirëkuptim politik që do bëjmë një reformë zgjedhore e cila ka nevojë për bashkëpunim politik por edhe për pjesën teknike, ose ne do të bëjmë një lojë të vazhdueshme e cila nuk do të na çojë asgjëkundi përveçse në zhbërjen e sistemit kushtetues, parlamentar në Shqipëri. Kështu që ato çka i themi nën zë, si të papranueshme, po në mënyrë normale, pavarësisht nga krahët politikë, t'i diskutojmë e t'i vendosim si element bazë të ngritjes së një sistemi të ri, të një qasjeje të re edhe për shkak të gjithë kësaj situate që kemi sot në vend. Kështu që ato propozime që ne kemi bërë, të cilat do kthehen në amendamente ligjore nga ana e ekspertëve tanë, duhet patjetër të shoqërohen, i nderuar bashkëkryetar, edhe me propozimet tuaja. Ju s'keni pse prisni, unë prisja që do bënit propozime për ndarjen e shtetit nga pushteti, nga qeveria, opozita. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët. Për të dëgjuar, për të kuptuar e për të vepruar në mënyrë të përbashkët, por edhe të çështjeve të tjera politike të cilat janë të dukshme që rëndojnë politikën tonë si një demokraci parlamentare kushtetuese.
© SYRI.net