Ulen çmimet e karburanteve, nafta 3 lekë më lirë dhe benzina bie me 1 lekë

Ekonomi | 7 minuta më parë

Çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar ulje. Bordi i Transparencës ka vendosur kufijtë e rinj maksimalë të shitjes me pakicë, duke bërë që nafta të ulet me 3 lekë për litër, ndërsa benzina me 1 lek.

Sipas vendimit të marrë më 17 nëntor 2026, çmimi maksimal i naftës do të jetë 207 lekë/litër, nga 210 lekë që tregtohej më parë. Ndërkohë, benzina do të shitet me jo më shumë se 164 lekë/litër, nga 165 lekë që ishte më parë.

Edhe për produktet e tjera janë përcaktuar çmimet e reja. Gazi për automjete do të tregtohet me 70 lekë/litër me pakicë dhe 58 lekë/litër me shumicë.

Nafta për aktivitetin e peshkimit është caktuar në 112 lekë/litër.

Vendimi hyn në fuqi sot, më 17 nëntor, në orën 17:30 dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.

Njoftimi i plotë

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  17  Nëntor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 207  lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  195  lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 164 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 152 lekë/litër.

Cmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 70 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë  58 lekë/litër për automjetet.

Gjithashtu, çmimi i gazoilit  për aktivitetin e peshkimit do të jetë 112 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 ora  17.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme