Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 300 startup-e aktive në Shqipëri, Ibrahimaj: Në 2027 krijohet Fondi Shqiptar i Inovacionit


Shqipëria numëron mbi 300 startup-e aktive, ndërsa qeveria planifikon që në vitin 2027 të krijojë Fondin Shqiptar të Inovacionit, me synimin për të mbështetur financiarisht sipërmarrjet që zhvillojnë produkte dhe shërbime të reja.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë çeljes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë, e cila këtë vit zhvillohet nën moton “Ndërto nga Shqipëria”.

“Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas ministres, gjatë vitit të kaluar financimi për startup-et u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë. Nga kjo mbështetje përfituan rreth 170 startup-e, ndërsa 43 produkte kanë dalë në treg dhe janë aktualisht në funksion. Gjithashtu, janë financuar tetë organizata që ofrojnë mentorim dhe mbështetje për sipërmarrjet.

Për vitin 2027, përveç krijimit të Fondit Shqiptar të Inovacionit, parashikohet edhe hapja e Akademisë së Startup-eve. Ky institucion do të ofrojë programe trajnimi dhe zhvillimi të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë vendin.

Një tjetër prioritet do të jetë rritja e ekspozimit ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete jashtë vendit, si dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë. Ndër ta përmenden Departamenti i Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike, si dhe institucioni francez i investimeve “Bpifrance”.

“Në fokus do të jetë gjithashtu rritja e ekspozimit ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete jashtë vendit, si dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj u ndal edhe te zhvillimi i GovTech, duke e cilësuar atë si një mundësi për të nxitur bashkëpunimin mes inovatorëve dhe sektorit publik. Synimi është krijimi i hapësirave për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve inovative, në përputhje me rregullat dhe procedurat e Bashkimit Evropian.

“Ne mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë. Jemi vende të vogla dhe secili prej nesh nuk mund të ketë kapacitete dhe ekspertizë në çdo sektor”, theksoi ajo.

Java Globale e Sipërmarrjes zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Gjatë kësaj jave janë parashikuar rreth 40 aktivitete, mes tyre konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë.

GEW Albania organizohet për të katërtin vit radhazi nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me autorizimin e Rrjetit Global të Sipërmarrjes (GEN).