Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj tetë kompanive të ndërtimit dhe zhvillimit të pronave që, sipas qeverisë britanike, janë të përfshira në ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Bëhet fjalë për paketën e parë të masave që pas njoftimit të qeverisë për një qasje më të ashpër ndaj veprimeve izraelite në territor, raporton BBC dhe e transmeton Euronews Albania.
Sipas qeverisë, sanksionet do të prishin rrjedhën e financimit të këtyre firmave dhe aftësinë e tyre për të mbështetur ndërtimin në Bregun Perëndimor. Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe në muajt e fundit ka pasur një rritje të dhunës ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor nga kolonët.
Masat vijnë dy ditë para afatit të fundit për dorëzimin e ofertave për tenderët e ndërtimit në zonën E1, në lindje të Jerusalemit. Planet për këtë zonë, të dënuara ndërkombëtarisht, në fakt do ta ndanin Bregun Perëndimor në dy pjesë dhe do ta izolonin Jerusalemin Lindor. Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka thënë se zhvillimi i E1 do ta bënte zgjidhjen me dy shtete “të paqëndrueshme”, duke “prerë zemrën e Palestinës”.
Sanksionet synojnë gjithashtu Tzav 9, një lëvizje aktiviste izraelite për të cilën qeveria britanike thotë se ka organizuar dhe kryer bllokada për të parandaluar hyrjen e ndihmave në Gaza. Kjo vjen pasi Mbretëria e Bashkuar zgjeroi muajin e kaluar regjimin e sanksioneve për të drejtat e njeriut, duke i mundësuar qeverisë të sanksionojë individë dhe kompani të përfshira në shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare kudo në botë.
Qeveria britanike po harton gjithashtu një legjislacion të veçantë për të ndaluar importin e mallrave të vendbanimeve dhe ofrimin e shërbimeve të reklamimit për pronat e vendbanimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Në një deklaratë, Miliband ka theksuar se mbrojtja e zgjidhjes me dy shtete është “ylli polar” i qasjes së qeverisë së tij.
“Kjo është arsyeja pse mesazhi im për E1 është i qartë: mos bëni oferta, mos ndërtoni dhe mos përfitoni nga shkatërrimi i zgjidhjes me dy shtete”, ka thënë ai. Status quo-ja në Bregun Perëndimor dhe Gaza është e papranueshme, sipas kreut të diplomacisë britanike, i cili ka shprehur përkushtimin për të punuar në mënyrë produktive me një qeveri të re izraelite dhe me Autoritetin Palestinez për të çuar përpara paqen dhe sigurinë e qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët njësoj.
