Shkeli masën e detyrimit të paraqitjes në polici, Gjykata në Beograd lëshon urdhërarrest për Millan Radoiçiçin
Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit deri në 30 ditë dhe ka lëshuar urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç.
Radoiçiç, i cili e kishte marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e sulmit të armatosur në veri të Kosovës më 2023, nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, siç është i detyruar sipas vendimit të Gjykatës së Lartë në këtë qytet.
Kështu raportoi më 17 nëntor Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, duke iu referuar burimeve të veta.
Gjykata e Lartë në Beograd është shprehur se nuk do ta bëjë të ditur asnjë informacion që vjen nga policia.
“Mbetemi në të njëjtin qëndrim që ju kemi dërguar dje”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Bëhet fjalë për qëndrimin se Gjykata e Lartë në Beograd po mbikëqyr zbatimin e masës së shqiptuar ndaj Radoiçiçit, sipas së cilës ai duhet të paraqitet në polici, dhe se “në bashkëpunim me organet kompetente po ndërmerren të gjitha veprimet e parapara për kontrollin e respektimit të detyrimit të shqiptuar”.
Radoiçiç, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.
Ndërkohë, prokurorët në Kosovë i ngarkojnë 45 persona për këtë sulm, në të cilin mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës.
Tre prej sulmuesve janë dënuar, ndërsa të tjerë të dyashuar, përfshirë Radoiçiçin, janë në arrati.
Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiç e ka pasur për detyrë të paraqitet në stacionin policor më datat 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë, ai e ka përfillur këtë masë deri më tani.
Megjithatë, më 13 nëntor, në publik u shfaqën pretendime jozyrtare se Radoiçiç ishte arratisur në Rusi.
Radoiçiç është, gjithashtu, nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.
Ai u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.
Më herët, nga Serbia është larguar Zvonko Vesellinoviç, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiçit.
Sipas konfirmimit që REL-i mori nga burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, ai udhëtoi me aeroplan nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe. Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviç.
Të dy, sikurse Radoiçiçi, janë nën sanksionet amerikane, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.
Qeveria e Kosovës reagon pas ridënimit të Thaçit: Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë
“Është urgjente”, djali i Kadri Veselit kërkon reagim institucional pas vendimit të Hagës
Nga fshehja e identitetit te zhvendosja, si mbrohen dëshmitarët e krimeve të luftës?
- 16:09 Gjermania i ofron 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës, fokusi te mbrojtja ajrore
- 15:58 Ambasadori Wendt prezanton “Payday Activities”: Punojmë që SHBA dhe Shqipëria të jenë më të forta, begata e të sigurta
- 15:46 Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të naftës dhe benzinës, ja sa do të kushtojë litri
- 15:45 OBSH: Përdorimi i lartë i duhanit midis grave dhe vajzave evropiane është shqetësues
- 15:45 Qeveria e Kosovës reagon pas ridënimit të Thaçit: Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë
- 15:37 Dëmshpërblim 100% për bizneset e vogla të dëmtuara nga protestat, zv.ministri Keputa: Nisin në janar, shuma do t’u kërkohet shkaktarëve