Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti që i mori jetën shefit të Krimeve të Vlorës, arrestohet shoferi i skrepit


Shoferi i skrepit me të cilin u përplas automjeti i shefit të Krimeve të Vlorës, Ermal Lulaj, sapo është arrestuar nga policia.

63-vjeçarit Thanas Poçaj, i cili mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën, i është komunikuar në spital masa e sigurisë.

Sipas policisë, Lulaj humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit për shkak të lagështirës dhe motit të keq me shi.

Ndërkohë disa burime thanë se skrepi nuk kishte drita në pjesën e pasme. Megjithatë, janë hetimet dhe ekspertiza ato që do të zbardhin shkakun e aksidentit.

Sipas ekspertit Gëzim Hoxha, mjeteve të kantierit nuk duhet t’u lejohet të dalin në autostradë për shkak të rrezikshmërisë që kanë.

“Nuk lejohet të dalin ashtu por duhet të jenë të shoqëruara me ato mjete të tjera para dhe mbrapa sepse janë të rrezikshme për shkak të shpejtësisë së vogël që kanë. Nuk janë mjete që dalin në autostrada sepse në autostradë është shpejtësia 130 km/h mbas ligjit. Ne kemi dhe një të metë tjetër në kulturën tonë që ne shpeshherë na mungojnë stopat mbrapa, na mungojnë sinjalet e duhura, na mungojnë këto dhe drejtuesi i automobilit që vjen nga mbrapa nuk na shikon”, tha Gëzim Hoxha

Ermal Lulaj u përcoll ditën e sotme në banesën e fundit, ndërsa homazhet u mbajtën në Drejtorinë e Policisë Fier, ku ishte i pranishëm edhe Skënder Hita.

41-vjeçari la pas 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë 2 vjeç. Kryepolici Hita tha se të miturit do të kenë mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Aksidenti që i mori jetën oficerit të policisë ndodhi pasditen e së hënës pranë Novoselës, ndërsa efektivi udhëtonte në një makinë tip ‘Toyota’ nga Fieri drejt Vlorës.

Lulaj, me origjinë nga Fieri, kishte ndërtuar një karrierë të sukseshme nëPpolicine e Shtetit. E kishte nisur punën në 2006 dhe për afro 20 vjet shërbeu me përkushtim, duke kontribuar në disa struktura, kryesisht në fushën e hetimit të narkotikëve, në qarqet Fier, Berat dhe Korçë. Në detyrën e tij të fundit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, mbante gradën Kryekomisar dhe shërbente si Shef i Sektorit të Krimeve të Rënda.