Një punëtor shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Itali, pasi është përplasur nga një automjet teksa ndodhej në një kantier punimesh në autostradën A18, në aksin Messina-Catania.
Viktima është 64-vjeçari Mehmeti Hashaim, me origjinë shqiptare, i cili jetonte në Marcianise, në provincën e Caserta-s. Aksidenti fatal është regjistruar rreth orës 09:00, në kilometrin 43.300 të autostradës, në afërsi të Taorminës dhe viaduktit Alcantara.
Sipas informacioneve paraprake, shqiptari ishte duke kryer punime mirëmbajtjeje në autostradë, kur një makinë ka hyrë në zonën ku po punohej dhe e ka përplasur me forcë. Dyshohet se drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin pas një manovre të gabuar të kryer nga një tjetër drejtues mjeti.
Gruaja është ndalur menjëherë për t’i ardhur në ndihmë 64-vjeçarit, por plagët e marra kanë rezultuar fatale. E tronditur nga ajo që kishte ndodhur, ajo ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në spitalin e Giarres për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe Policia Rrugore, e cila ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Për shkak të ngjarjes, është bllokuar përkohësisht qarkullimi në drejtim të Catanias, ndërsa automjetet janë orientuar drejt Giardini Naxos dhe rrugës shtetërore SS114.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik që i mori jetën punëtorit shqiptar.
