Shërbimet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut kanë zbuluar një rrjet kriminal të lidhur me një shtetas iranian, i cili dyshohet se po përgatitej të kryente një atentat ndaj një personi në Greqi.
Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Byroja e Sigurisë Publike (BSP) e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zbulimit të Greqisë dhe shërbime të tjera partnere. Sipas autoriteteve, aktivitetet për identifikimin e rrjetit nisën në fillim të vitit 2026.
Hetimet operative, teknike dhe analitike çuan në identifikimin e një grupi personash të vendosur në strukturat kriminale në Maqedoninë e Veriut, të cilët, sipas njoftimit zyrtar, kishin marrë përsipër përgatitjet logjistike për realizimin e atentatit.
Rrjeti lidhet me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavane, i cili është identifikuar nga shërbimet e sigurisë si person me lidhje me aktorë të tjerë të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe zbulimit, përfshirë edhe Naji Sharifi Zindashti, i njohur si bos i drogës.
“Në lidhje me rrjetin e Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për individë të vendosur në strukturat kriminale në vend, të cilët, nën udhëzimet e drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmorën aktivitete përgatitore logjistike për të kryer një akt terrorist/atentat kundër një personi në Greqi”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Shkëmbimi i informacioneve me shërbimet partnere ka ndihmuar gjithashtu në zbardhjen e mënyrës së funksionimit të rrjetit. Sipas hetimeve, anëtarët e tij zhvillonin takime konspirative në territoret e vendeve të treta, përfshirë Iranin. Autoritetet thonë se janë konfirmuar edhe lidhjet me shtetasin iranian, të cilin e konsiderojnë si personin kryesor pas planit të dyshuar terrorist.
ASK dhe BSP vlerësojnë se ky rast lidhet me përpjekjet e shërbimeve sekrete iraniane për të mbuluar aktivitetet e tyre përmes rrjeteve kriminale dhe ndërmjetësve në vende të treta, mes tyre edhe Maqedonia e Veriut.
Si kontekst të mëtejshëm sigurie, institucionet përmendin se edhe vende të tjera janë përballur në periudhën e kaluar me kërcënime dhe sulme terroriste që, sipas tyre, janë kryer nga aktorë të ndërmjetëm të lidhur me Iranin.
Autoritetet në Shkup bëjnë të ditur se do të vijojnë punën për identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste të lidhura me elementë iranianë, si dhe për zbulimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjeteve të tilla.

